Drejtësia Sot ka siguruar Aktgjykimin në rastin “Afera e fajdeve” ndaj të pandehurve Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, të akuzuar për veprën penale të Mashtrimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të përfaqësuar nga prokurorja Rukije Sheshivari, të njejtit akuzoheshin se duke u paraqitur si persona të afërm me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin, arrijnë të marrin nga i dëmtuari Faton Dalladaku, shumën prej rreth 290 mijë euro.
Për këtë vepër penale të pandehurit Rrahim Hashimi, gjykata me 26 shukrt 2020, ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 9 muaj kurse të pandehurit Kadri Rexhepi kjo gjykatë i ka shqiptuar dënim me burgim prej 3 vite.
Po ashtu gjykata i ka obliguar të akuzuarit që në emer të shpenzimeve të procedurës penale të paguajnë nga 150 euro, si dhe me nga 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit, ndërsa palën e dëmtuar e kishte udhëzuar në konstest të rregullt civil.
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, të siguruar nga “Drejtësia Sot”, thuhet se gjykata ia ka falur besimin dëshmive të 6 dëshmitarëve të dëgjuar gjatë këtij procesi gjyqësor dhe të gjitha provave të tjera materiale.
Nga dëshmia e të dëmtuarit- dëshmitarit Faton Dalladaku, gjykata ka vërtetuar faktin se të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadr Rexhepi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten ose për tjetrin, si dhe për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e vënë në lajthitje të dëmtuarin Faton Dalladaku, në atë mënyrë që përmes të pandehurit Kadri Rexhepi prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit, edhe atë Rrahim Hashimi si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit.
Po ashtu, nga kjo dëshmi, gjykata ka vërtetuar faktin se të akuzuarit Rrahim Hashimi, Kadri Rexhepi dhe Ekrem Lika, kinse me qëllim të ndërmjetsimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës Sh.P.K. në Prishtinë, mes Ekrem Llukës si shitës dhe Faton Dalladakut si blerës, e nxisin të njejtin të veproj në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin të dëmtuarin Dalldaku, se i pandehuri Hashimi është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës me 20 % të aksioneve ndërsa Ekrem Lluka me 80 %, me ç’rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari shumën e përgjithshme të të hollave prej 290.810.00 euro (dyqind e nëntëdhjetë mijë e tetëqind e dhjetë euro) për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëm material.
Sipas gjyqtarës Medie Bytyçi, këto fakte kanë gjetur mbështetje dhe janë vërtetuar me të gjitha provat personale dhe materiale të administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor. Këto fakte, gjejnë mbështjetje pjesërisht edhe nga mbrojtja e të akuzuarit Rrahim Hashimi i cili në mbrojtjen e dhënë, pranon se ka marrë shumën rreth 126 mijë euro nga Faton Dalladaku, duke përfshirë edhe një veturë të tipit “BMW”.
Nga dëshmia e dëshmitarit Ekrem Lluka, gjykata ka vërtuar faktin se para viti 2011 ka qenë bashk investitor i Qendrës Kardiake të Kosovës (QKK), pastaj i ka blerë nga Faton Dalladaku dhe personat tjerë, të gjitha aksionet e QKK-së, ku më pastaj Ekrem Lluka ka qenë pronar i vetëm i QKK-së. Gjithashtu, është vërtetuar fakti se të akuzuarit janë takuar në hotel “Dukagjini” në Pejë, lidhur me ofertën për shitblerjen e spitalit QKK.
Ndër të tjera në aktgjykim thuhet se nga dëshmia e Rasim Selmanajt, është vërtetuar fakti se i njejti, me kërkesën e Rrahim Hashimit e ka aranzhuar takimin ndërmjet të akuzuarve dhe Ekrem Llukës në hotel “Dukagjini” në Pejë, lidhur me ofertën për shitblerjen e spitalit të Qendrës Kardiake të Kosovës (QKK).
Po ashtu nga dëshmia e dëshmitarit Xhafer Maliqi, gjykata ka vërtetuar faktin se Rrahim Hashimi ka deklaruar se është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës me 20 % të aksioneve, të cilat kinse ia ka dhënë Ekrem Lluka. Po ashtu, nga kjo dëshmi, gjykata ka vërtetuar faktin se me insistimin e të njejtit është nënshkruar kontrata nga Rrahim Hashimi si dëshmi që i ka pranuar të hollat siç ia kishte shpjeguar Faton Dalladaku.
Ndërsa nga dëshmia e dëshmitarit Muharrem Hajdaraj, është vërtetuar fakti se Faton Dalladaku iu ka dhënë të holla të akuzuarve Rrahim Hashimi Kadri Rexhepi, dhe atë 100 mijë euro përmes llogarisë së tij private dhe 100 mijë euro para të gatshme, të cilat i ka huazuar nga Zek Jasiqi, si dhe në një rast të vetëm Faton Dalladaku i ka dhënë 50 mijë euro të akuzuarit Rexhepi.
Gjendet faktike të përshkruar si në aktakuzë gjykata e ka vërtuar edhe nga provat materiale të cilat janë administruar gjatë procesit gjyqësor.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Leutrim Himaj