Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ish-ministrit Pal Lekaj, i cili bashkë me Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin, po akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton Drejtësia Sot.
Në seancën e udhëhequr nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, katër të akuzuarit kanë deklaruar se e kuptojnë dispozitivin e aktakuzës dhe se nuk e pranojnë fajësinë lidhur me veprën penale që i vihet në barrë.
Më këtë rast, gjykata mori aktvendim me të cilin ka udhëzuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, që brenda afatit prej 30 ditësh, kanë të drejtë të paraqesin kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e tyre për provat e cekura në aktakuzë.
Kryetarja e trupit gjykues njoftoi palët se seanca e shqyrtimit të dytë do të mbahet me datë 17.06.2022, në ora 10:00, dhe se ky njoftim palëve do t’ju shërbejë në vend të ftesave të rregullta.
Ndryshe, lidhur me këtë rast, gjykata më 20 prill 2022, kishte caktuar mbajtjen e seancës fillestare por e njëjta ishte shtyrë me kërkesë të të akuzuarit Pal Lekaj, i cili kishte kërkuar kohë prej 10 ditësh që ta kuptoj aktakuzën e më pas të deklarohet lidhur me fajësinë.
Kujtojmë që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishen, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.
Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.
Sipas PSRK-së, me datë 27.09.2017, në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, në cilësi të personave zyrtar, Pal Lekaj – Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe si Kryesues i Komitetit Ndërkombëtarë (KDNM) dhe Nebih Shatri – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri- Drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.
Me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit më kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duk mos caktuar kosto financiare.
E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me c ‘rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.
“Drejtësia Sot” ka raportuar lidhur me të gjitha pretendimet e PSRK-së, që kanë të bëjnë me rastin “53 milionëshi”, link: https://www.rolpik.org/aktakuza-ndaj-pal-lekajt-dhe-zyrtarit-te-mi-se-si-u-dhane-53-milion-euro-per-bechtelenka/
Numri i lëndës PS.nr.4/22
Liridon Salihi