Shtyhet gjykimi për falsifikim dhe mashtrim me dokumente zyrtare: Të pandehurit kërkojnë të mbrohen me avokat

14 tetor 2019

Në Gjykatën Themelore në Prizren, dështoi mbajtja e shqyrtimit fillestar kundër Koordinatorit të Gjendjes Civile në Komunë të Mamushës Mirat Rifat Shala, i lindur më 17.01.1987 dhe bujkut Arif Izet Mazrek, i lindur më 15.11.1967.

Shkak për dështim të kësaj seance gjyqësore ishte mos angazhimi i avokatëve nga të pandehurit, për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, raporton “Drejtësia Sot”.

Mirëpo, të pandehurit Mirat Shala dhe Arif Mazrek, në deklarimin e tyre thanë se duan që të përfaqësohen nga një avokat, mirëpo për shkak të gjendjes ekonomike jo të mirë, ata nuk kanë angazhuar avokat.

Gjithashtu, të pandehurit theksuan se nëse Gjykata me shpenzime të saj u angazhon avokat, atëherë ata janë dakord që në seancat e ardhshme gjyqësore të përfaqësohen përmes tyre.

Edhe prokurori i shtetit Metush Biraj, u pajtua që të për pandehurit do ishte më e drejtë që të përfaqësohen nga ana e një mbrojtësi profesional.

Në këto rrethana, gjyqtari Artan Sejrani aprovoi kërkesën e të pandehurve për caktim të avokatit sipas detyrës zyrtare, duke shtyrë shqyrtimin fillestar për datë 31 tetor 2019 në ora 09:00.

Koordinatori Mirat Shala po akuzohet se ka kryer veprën penale falsifikimi i dokumentit zyrtar, ndërsa ndaj Arif Mazrek rëndon akuza për veprën penale legalizimi i përmbajtjes së rreme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në të vërtetë, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të datës 30.08.2019, i pandehuri Mirat Shala, në cilësi të personit zyrtar, si ofiqar në zyrën e Komunës në Mamushë, në dokumentin zyrtar nuk i shënon të dhënat e duhura.

Kështu, ai vepron në atë mënyrë që më datë 02.02.2016, e përpilon “Aktvdekjen” për të ndjerin R.M, duke paraqitur si trashëgimtarë bashkëshorten e ndjerë H.M, bijtë e tij I.M., S.M., I.M., dhe Gj.M., pa e përfshirë si trashëgimtar edhe birin tjetër të tij, të dëmtuarin Z.Sh. Ky dokument pastaj është përdorur si provë për trashëgimi te noteri.

Ndërsa, i pandehuri Arif Mazrek, vë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik, të vërtetojë një çështje të pavërtetë.

Ai ka vepruar në atë mënyrë që pas datës 02.02.2016, shkon në Zyrën e Noteres në Mamushë, e dorëzon “Aktvdekjen” me të dhënat e përshkruara si më lartë. Pas kësaj, Noteria sjell “Aktvendim Trashëgimor” pa qenë i përfshirë në trashëgimi i dëmtuari Z.Sh. (Drejtësia Sot).

 

Monitorues: Uran ZOGAJ & Lorik KABASHI