Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka njoftuar se në tri raste të ndara në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok janë dëgjuar shpërthime dhe të shtëna të armëve të ndryshme.
Deri më tani nuk raportohet se ka pasur ndonjë person të lënduar nga këto shpërthime dhe shkrepje armësh por vetëm demolim të zyrave të komisionit komunal zgjedhor.
Këto tensione dyshohet se po krijohen pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut.
Lidhur me situatën e krijuar në Veri të Kosovës, “Drejtësia Sot” ka kontaktuar me zyrtarët nga Gjykata dhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës për të parë nëse këto tensione po ndikojnë në mbarëvajtjen e punëve të këtyre institucioneve.
Kësisoj, administratorja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Luminje Surdulli, ka thënë për “Drejtësia Sot” se kjo Gjykatë është duke punuar normalisht si çdo ditë pune tjetër.
Po ashtu, edhe Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar për “Drejtësia Sot” se veprimtaritë në Prokurorinë e Mitrovicës janë duke u zhvilluar normalisht.
Kujtojmë që në disa raste të tilla kur kishte tensione në Veri të Kosovës, Gjykata dhe Prokuroria i kishin reduktuar aktivitetet e tyre.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës ka njoftuar se në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime).
Nga këto shpërthime dhe shkrepje armësh nuk është raportuar për persona të lënduar por vetëm që protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.
“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, në vazhdimësi po angazhohet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në Veri të Mitrovicës” – thuhet në komunikatë për media.
Sipas Policisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke u bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë kërkesë për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit./Drejtësia Sot
Lajmet në fokus