Prokuroria e Prishtinës dhe ajo e Apelit nga sot rifillojnë punën me kapacitete të plota

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Monitoruar nga Valentina Shahini

11:25 / 21 Dhjetor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Dy muaj pasi që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) reduktoi veprimtaritë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në Prokurorinë e Apelit, këto dy institucione nga sot pritet të rifillojnë punën me kapacitete të plota.

Drejtësia Sot” raporton se një vendim i tillë është marr dje në takimin e  KPK-së, ashtu që është shfuqizuar vendimi i 21 tetorit të këtij viti , më të cilin ishin reduktuar aktivitetet për shkak të mungesës së oksigjenit në hapësirat e këtyre dy institucioneve.

Mirëpo, meqenëse tashmë është duke u trajtuar ky problem përmes ndërhyrjes në sistemin e ajrosjes, KPK e ka parë të arsyeshme që puna në objektin e Pallatit të Drejtësisë ku gjendet Prokuroria e Prishtinës dhe ajo e Apelit të bëhet me kapacitete të plota.

Ndryshe, përveç këtij vendimi, KPK në mbledhjen e mbajtur dje ka shqyrtuar dhe miratuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prizrenit për avancimin e përhershëm të një prokurori në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Kështu, anëtarit e Këshilli votuan pro vendimt për shpalljen e konkursit të brendshëm sipas kërkesës së lartcekur.

Tutje, KPK dje miratoi pjesërisht raportin për vlerësimin e performancës së shtatë prokurorëve me mandat të përhershëm, duke miratuar kështu edhe një kundërshtim të paraqitur kundër këtij raporti.

Ndryshe në agjendën e takimit të djeshëm ishin paraparë edhe shqyrtimi i tri draft-Rregullore (Rregullorja për Praktikantët në sistemin prokurorial, Rregullorja për procedurat e rekrutimit, përzgjedhjes së Bashkëpunëtorëve Profesional dhe Rregullorja për veprimtarinë, organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e  administratës në KPK).

Mirëpo, anëtarët e Këshillit u pajtuan që këto draft-Rregullore të shqyrtohen në takimin e radhës.

Po ashtu, për takimin e radhës është shtyrë edhe pika e rendit të ditës që ka të bëjë me raportin disiplinor në rastin AD-05/2022, lidhur me procedurën disiplinore ndaj Kryeprokurorit të suspenduar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala./Drejtësia Sot