Prokurori i Shtetit raporton se gjatë 24 orëve të fundit janë ngritur 52 aktakuza kundër 59 personave, për vepra të ndryshme penale.
“Drejtësia Sot” njofton se tre prej këtyre aktakuza janë ngritur ndaj tre personave, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Dhuna në familje”.
Kështu, sa i përket kësaj vepre penale, një aktakuzë kundër një personi është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren.
Po ashtu, edhe Prokuroria Themelore në Gjilan në 24 orët e fundit ka ngritur aktakuzë kundër një personi nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij.
Kurse aktakuza e tretë për dhunë në familje është ngritur nga Prokuroria e Ferizajt, e cila për dhunë në familje e akuzon një person.
Ndryshe, në 24 orët e fundit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar shtatë persona, si dhe pranë gjykatave kompetente janë parashtruar dy kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj dy personave.
Lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “Dhuna në familje”, me urdhër nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Ferizaj janë ndaluar katër persona në katër raste të ndara.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar një kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj një personi që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij.
“Drejtësia Sot” në vazhdimësi raporton për aktakuzat e dhunës në familje që ngritën nga Prokurori i Shtetit.
Lajmet në fokus