Profili i U.D. Kryetares së Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj

Gjykata Supreme e Kosovës

Monitoruar nga Valentina Shahini

15:35 / 14 Dhjetor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjyqtarja Mejreme Memaj sot është emëruar Ushtruese e Detyrës së Kryetares së Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

Drejtësia Sot” raporton se gjyqtarja Memaj është caktuar në këtë pozitë pasi kryetari aktual, Enver Peci, ka dorëzuar dorëheqjen pas zgjedhjes së tij si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimin për caktimin e gjyqtares Memaj në krye të Supremes e mori Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), gjatë takimit të sotëm.

Këtij vendimi i parapriu procesi i votimit, ku për UD kryetar të Supremes ishin propozuar kandidatët-gjyqtarët Mejreme Memaj dhe Afrim Shala.

Caktimi i gjyqtares Memaj si U.D. kryetare e Supremes do vlejë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate.

Procedura për shpalljen e konkursit për pozitën e kreut të Supremes dhe themelimi i komisionit që do të udhëheqë me këtë proces, do të shqyrtohen në takimin e radhës së KGJK-së.

Referuar të dhënave të publikuara në ueb faqen zyrtare të Gjykatës Supreme, bëhet e ditur se tashmë U.D. Kryetarja është gjyqtare në Supreme që nga viti 2019.

U.D. Kryetarja Memaj  thuhet se ka diplomuar në Fakultetin Juridik në vitin 2000, kurse Provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2004.

Lidhur me praktiken profesionale, gjyqtarja Memaj e mbaroi në Gjykatën e Qarkut në Pejë në vitin 2002, kurse më pas për dy vite ishte zyrtare ligjore në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave në Prishtinë.

Tutje, për disa muaj punoi si zyrtare e monitorimit për kundërvajtje – Departamenti i Administratës Gjyqësore, në Prishtinë.

Nga fillim i vitit 2005 deri në gjysmën e vitit 2010, gjyqtarja Memaj thuhet se shërbeu si bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Në vitin 2010, ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë kurse nga viti 2013 deri në vitin 2019, Mejreme Memaj ishte gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Kurse nga viti 2019 është emëruar si gjyqtare e Gjykatës Supreme, pozitë të cilën e mban ende.

Kujtojmë që Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës është instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë dhe ka juridiksion në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, përveç vendimit për caktimin e UD kryetares së Supremes, mbledhja e KGJK-së ka vazhduar me diskutimin e pikave tjera të rendit të ditës./Drejtësia Sot