Policia e Kosovës njofton se gjatë 24 orëve janë arrestuar pesë persona që dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre.
Kështu, në Prishtinë një grua ka raportuar në Polici se bashkëshorti i saj në vazhdimësi kishte ushtruar dhunën fizike dhe psikike ndaj saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Nga Drejtoria Rajonale e Prizrenit është raportuar se është arrestuar një person pasi i njëjti në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Po ashtu edhe në Suharekë është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte kanosur gruan e tij.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, Policia njofton se janë gjetur dhe konfiskuar një revole dhe një pushkë, dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Drejtorinë Rajonale në Pejë, me ç’rast është arrestuar burri i cili në gjendje të dehur kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje.
Kurse rasti i fundit është raportuar në Mitrovicë, ku është arrestuar një person nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Në këtë rast nuk është raportuar për persona të lënduar kurse i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt./ Drejtësia Sot
Lajmet në fokus