I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë ende në arrati

Policia e Kosovës

Monitoruar nga Dafina Maxhuni

13:13 / 01 Dhjetor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Kanë kaluar rreth 20 orë që kur Policia e Kosovës ka pranuar informatat për vrasjen e viktimës H.M, nga ana e bashkëshortit të saj S.H., në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.

Pavarësisht që Policia e Kosovës e ka kërkuar të dyshuarin në disa lokacione, i njëjti ende nuk është hasur nga njësitet policore që po merren me hetimin e rastit.

Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës, ku thuhet se “i dyshuari është kërkuar nga njësitë policore në disa lokacione por deri tani nuk është hasur”.

Ndryshe, është konfirmuar se njësitet policore kompetente janë duke i vazhduar hetimet lidhur me rastin.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, dje rreth orës 18:00 është raportuar se viktima femër kosovare para klinikës së Gjinekologjisë në QKUK është qëlluar me armë zjarri nga një person i dyshuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku.

Tutje thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kujdestar me urdhrin e të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Lidhur me të dyshuarin S.H, sot një komunikatë për media e ka lëshuar edhe Gjykata Themelore në Ferizaj, e cila ka theksuar se ai ka qenë i dënuar me gjobë për armëmbajtje pa leje si dhe ka aktakuzë aktive për kanosjen e viktimës, tani të ndjerës H.M.

“Drejtësia Sot” po raporton në vazhdimësi për këtë çështje, link: https://www.rolpik.org/gjykata-jep-detaje-lidhur-me-te-dyshuarin-qe-vrau-gruan-shtatzene/