Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka ngritur sot aktakuzë ndaj pesë personave të cilët ishin përshirë në rastin e muajit gusht të këtij viti, ku viktimë ishte një vajzë 11 vjeçare.
Kjo u bë e ditur nga komunikata për media e Prokurorisë, ku thuhet se aktakuza është ngritur pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhorë), si dhe ndaj tre të miturve, ku të gjithë aktualisht gjenden në paraburgim.
Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Trafikimi me njerëz”, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.
Po ashtu, njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, “Trafikimi me njerëz” dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”.
Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi” si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”.
Përveç kësaj, ndaj rastit tjetër penal ndaj të njëjtës viktimë që kishte ndodhur në muajin qershor të këtij viti, Prokuroria njofton se është në proces të zhvillimit të hetimeve, duke i dhënë prioritet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.
“Drejtësia Sot” njofton se në raport me 11 vjeçaren janë zhvilluar dy raste të ndara nën dyshimin se ajo ishte viktimë e dhunimit në qershor dhe gusht të këtij viti.
Kujtojmë që deri më tani, në dy raste të ndara të dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, janë arrestuar edhe 13 persona dhe të njëjtëve Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit.
Linku nga lajmi paraprak: https://www.rolpik.org/dhunimi-i-te-mitures-ne-prishtine-arrestohet-i-dyshuari-i-trembedhjete/
Lajmet në fokus