Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor i njohur si “53 Milionëshi” në të cilën për korrupsion po akuzohen Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
Deri tek dështimi i kësaj seance erdhi për shkak të mungesës së të akuzuarit Pal Lekaj, për të cilin mbrojtësi i tij njoftoi gjykatën se gjendej në një udhëtim zyrtar dhe mungesën e kishte arsyetuar përmes dy parashtresave.
Andaj, trupi gjykues vendosi që seancën gjyqësore për këtë rast ta caktojë për datë 3 shkurt 2023.
Ndryshe, lidhur me këtë rast, gjykata më 20 prill 2022, kishte caktuar mbajtjen e seancës fillestare por e njëjta ishte shtyrë me kërkesë të të akuzuarit Pal Lekaj, i cili kishte kërkuar kohë prej 10 ditësh që ta kuptoj aktakuzën e më pas të deklarohet lidhur me fajësinë.
Kujtojmë që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në aktakuzën PPS.nr.40/2019, të datës 4 shkurt 2022, ngarkon ish-ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj, së bashku me Nebih Shatrin dhe Eset Berishën, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.
Kurse, në rastin e njëjtë, më datë 18 shkurt 2022, PSRK kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit, po për të njëjtën vepër penale.
Sipas PSRK-së, me datë 27.09.2017, në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë, në cilësi të personave zyrtar, Pal Lekaj – Ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe si Kryesues i Komitetit Ndërkombëtarë (KDNM) dhe Nebih Shatri – Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri- Drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.
Me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës e në dobi të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit më kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe me kushtet e kontratës, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel&Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve, saktësisht për 347 ditë tjera, duke mos caktuar kosto financiare.
E në këtë drejtim i kanë lënë hapësirë OE “Bechtel&Enka” që të paraqesin kërkesë për pagesën e shumës shtesë në vlerën prej 53.100.000.00 euro, ku si pasoj e këtyre veprimeve të të pandehurve, është aprovuar për pagesë nga Qeveria e RKS-së, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës, e me ç’rast me veprimet e të pandehurve buxhetit të RKS-së, i është shkaktuar dëm në vlerë 38.321.346.00 euro.
Lajmet në fokus