Caktohet masa e ndalimit për tre të dyshuarit që ushtruan dhunë në familje

Policia e Kosovës

Monitoruar nga Dafina Maxhuni

12:27 / 07 Dhjetor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se brenda kësaj periudhe kohore janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.

Fillimisht, bëhet e ditur se dje në Prishtinë është raportuar se një person kishte shkaktuar dhunë psikike ndaj vëllait të tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Po ashtu, në kryeqytet dje është arrestuar edhe një person tjetër i cili ka sulmuar fizikisht gruan e tij, me ç’ rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima thuhet se ka pranuar tretman mjekësor kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Gjakovë, ku pas një zënke verbale janë arrestuar dy persona që bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Policia bën të ditur se rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Tutje, në raportin 24 orësh të Policisë u dhanë detaje edhe për dy raste të dhunës në familje që janë raportuar edhe në rajonin e Mitrovicës.

Kështu, lidhur me rastin në Vushtrri, Policia tregon se ka arrestuar burrin i cili dyshohet se në vazhdimësi e ka kanosur verbalisht me vrasje gruan e tij. Pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa, rasti në Mitrovicë ka të bëj me raportimin e gruas që pretendon në vazhdimësi përmes telefonit është duke u kanosur nga ish bashkëshorti i saj, me të cilin është në proces të shkurorëzimit. Policia njofton se ky rast është në procedurë hetimore.

Ndryshe, përveç rasteve të dhunës në familje, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar edhe dy raste ku familjarët kanë kanosur njëri-tjetrin.

Kësisoj, dje në Fushë Kosovë, viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale është kanosur verbalisht nga vëllai i tij. Pretendohet se i dyshuari ka dëmtuar edhe një pajisje elektronike të kompanisë së tij.

Sipas Policisë, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kurse rasti i dytë i kanosjes është raportuar në Malishevë,  ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kanosur me vrasje bashkëshorten ose do ta mbysë vetveten.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./Drejtësia Sot.