UD Kryeprokurori i Shtetit transferon tre prokurorë në Prokurorinë e Mitrovicës

Prokurori i Shtetit

Monitoruar nga Liridon Salihi

15:24 / 15 Nëntor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

​Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka marrë vendim për transferimin e jashtëzakonshëm të tre (3) prokurorëve në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, raporton Drejtësia Sot.

Një gjë e tillë u bë e ditur nga komunikata për media, ku ndër të tjera thuhet se një vendim i tillë është marrë me qëllim të mbështetjes së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, pas dorëheqjeve të prokurorëve serb.

Në komunikatë theksohet se “Pas ofrimit të dorëheqjes së prokurorëve të nacionalitetit serb, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore me qëllim të mbështetjes, funksionimit normal dhe efikas të punës në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka marrë vendim për transferimin e jashtëzakonshëm të tre (3) prokurorëve nga prokuroritë tjera themelore në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës për një periudhë të përkohshme.”

Tutje, u bë e ditur se tre prokurorët e transferuar do të punojnë në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i cili është prekur më tepër nga ofrimi i dorëheqjes së prokurorëve të nacionalitetit serb.

Në fund të komunikatës theksohet se varësisht nga rrethanat, U.D. Kryeprokurori i Shtetit do të veproj menjëherë në përputhje më ligjin, situatën dhe nevojat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Kujtojmë që nga java e kaluar, të gjithë prokurorët dhe stafi administrativ serb i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre nga këto pozita.

Linku nga lajmi paraprak: https://www.rolpik.org/doreheqjet-e-prokuroreve-serb-kpk-mban-mbledhje-te-jashtezakonshme/