Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr vendim me të cilin të katër akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, iu është zëvendësuar masa e arrestit shtëpiak me atë të paraqitjes në stacion policor.
Ky vendim u mor nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Valon Kurtaj, sipas kërkesës së parashtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve, duke paralajmëruar se nëse të akuzuarit e thyejnë masën e paraqitjes në stacion policor, atëherë do të dërgohen në paraburgim deri në fund të procesit gjyqësor.
Ndryshe, në seancën e sotme ndaj të akuzuarve Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar dëshmitari Stanko Agjiq.
Kurse, seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale janë planifikuar të mbahen më datë 29 nëntor 2022, 10 dhe 11 janar 2023.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, të ndryshuar më datë 10.11.2020, Nedeljko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq dhe Marko Roshiq akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”,
Për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” po akuzohet Dragisha Markovic, i cili po ashtu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër Zharko Jovanoviq ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërsa ndaj Zharko Jovanoviqit dhe Nedeljko Spasojeviqit rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Në përshkrimin faktik të aktakuzës thuhet se të akuzuarit në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim te shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Aktakuza pretendon se secili nga te pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviç kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç‘rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhur deri te vrasja e tij.
Për këtë rast, gjinden në arrati M.R., Z.V. dhe Zh.B, për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe të cilët dyshohet të kenë qenë udhëheqësit e këtij grupi kriminal.
Ndërsa, më 19 tetor 2022, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe personin me inicialet M.M., i cili dyshohet se është përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç.
Drejtësia Sot raporton në vazhdimësi lidhur me këtë çështje penale, link: https://www.rolpik.org/arrestohet-edhe-nje-i-dyshuar-per-vrasjen-e-oliver-ivanovicit/
Lajmet në fokus