Sulmi ndaj të moshuarës – Dyshohet se ish-infermieret kërcënuan dëshmitaren që shpërndau videon

Gjykata Themelore , Pejë

Monitoruar nga Liridon Salihi

13:40 / 04 Nëntor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore e Pejës dje ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-infermiereve A.P, A.R dhe R.K., të dyshuara se në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale “Sulmi”.

“Drejtësia Sot” raporton se ish-infermieret A.P, A.R dhe R.K., dyshohen se sulmuan një të moshuar, veprime të cilat u panë në videon që qarkulloi nga e mërkura në Facebook.

Ndër arsyet për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurave, gjykata përmend edhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to.

Ndryshe, Gjykata e Pejës njofton se dje të pandehurave A.P, A.R dhe R.K., u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë.

Ky dyshim i gjykatës mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende.

Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurave në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to. 

Andaj, duke u bazuar në rrethanat e rastit konkret, gjykata ka arritur në përfundim se në këtë fazë të procedurës është i nevojshëm caktimi i masës së paraburgimit për të tri të pandehurat me qëllim të pengimit të përsëritjes së veprës penale, kryerjes së ndonjë vepre të re penale apo ndikimit në dëshmitar.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të  lehtë  ndaj të  pandehurave, mirëpo ka gjetur se masat e tjera të parapara me ligj si masa më të buta se masa e paraburgimit, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal, të suksesshëm dhe të papenguar të procedurës penale.

Në fund të komunikatës për media, Gjykata e Pejës thekson se kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.