Shpallen të pafajshëm 16 të akuzuarit në rastin “Toka 3”

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Valentina Shahini

14:53 / 07 Nëntor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjashtëmbëdhjetë të akuzuarit në rastin e njohur si “Toka 3” sot janë liruar nga akuza për shpëlarje parash, raporton Drejtësia Sot.

Shpallja e aktgjykimit është bërë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani.

Sipas gjyqtares Namani,  të akuzuarit janë liruar pasi nuk është provuar se të njëjtit i kanë kryer veprat për të cilat po ngarkohen.

Tutje, palën e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike e ka udhëzuar në kontest juridik- civil.

Po ashtu, ajo i ka njoftuar palët se kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditëve nga dita e marrjes së vendimit.

Kurse, sipas aktakuzës së PRSK-së të datës 24 tetor 2016 , të akuzuarit Baki Abdullahu, Haki Hyseni, Arsim Hasani, Valdet Shaqiri, Skender Potera, Muharrem Kadriu, Xhevahir Begolli, Nadir Shantiri, Sali Bivolaku, Idriz Buza, Samir Haxhimusaj, Shkëlqim Latifaj, Enver Çoçaj, Jeton Govori, Besnik Rexha, Jusuf Lataj dhe Agron Haxhosaj përgjatë viteve 2006 – 2016, duke e ditur apo duke pasur arsye për ta ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë tjetërsuar kundërligjshëm nga të akuzuarit në rastin “Toka 1”, kanë transferuar dhe tentuar të transferojnë këto prona me qëllim të fshehjes apo maskimit të prejardhjes së tyre kriminale.

Aktakuza përmend një mori parcela për të cilat thotë se këta të akuzuar i kanë blerë me çmim shumë më të ulët se çmimi i tregut, gjithmonë me synim të asistimit të të pandehurve tjerë në rastin “Toka 1”, të cilët ishin të përfshirë apo kishin qëllimin e përfshirjes në veprat penale për të cilat akuzohen.

Drejtësia Sot në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast: https://www.rolpik.org/perfundon-gjykimi-ne-rastin-toka-3/