Reduktimi i aktiviteteve të gjykatave, anulohet seanca në rastin “Stenta 2”

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Valentina Shahini

10:29 / 29 Nëntor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin Special të Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar seanca gjyqësore e caktuar të mbahet sot në rastin e njohur si “Stenta 2”.

Lajmin për anulimin e kësaj seance e ka konfirmuar për “Drejtësia Sot” vet gjyqtarja e rastit, Suzana Çerkini.

Gjyqtarja Çerkini tha se anulimi i kësaj seance është mbështetur në vendimin e KGJK-së, të marr me datën 24 nëntor 2022.

Në bazë të këtij vendimi të KGJK-së parashihet që gjykatat të trajtojnë vetëm rastet e natyrës urgjente sipas listës së shërbimeve esenciale të këtyre institucioneve, që vlen deri më 8 dhjetor 2022.

Sipas aktakuzës në rastin “Stenta 2”, 38 mjek akuzohen akuzohen se në bashkëkryerje duke vepruar si persona zyrtar, si mjekë i kanë tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë.

Të njëjtit me dashje dhe dijeni iu kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 personave të cilët edhe pse i kishin kryer trajtimet mjekësore, e në disa raste të afërmve për pacientët që kishin vdekur në spitalet private “International Medicine Hospital” IMH, me qëllim që atyre të iu kompensonin shpenzimet nga Ministria e Shëndetësisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me aktakuzë i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën e Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprime kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronorografi merrnin nga 150 euro ryshfet.