Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, gjatë ditës së djeshme, vendosi që të pezullojë nga puna të dyshuarin Zenel Hoxha, referent i lartë në Gjykatën Themelore të Pejës.
“Drejtësia Sot” raporton se pezullimi nga puna i këtij zyrtari ka ardhur pas marrjes së njoftimit nga gjykata se i njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Nga komunikata për media e KGJK-së bëhet e ditur se Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, bazuar në nenin 69 të Ligjit Nr. 03/L-149 Për Shërbimin Civil, ndaj të dyshuarit Hoxha vendosi masën e pezullimit parandalues nga puna dhe detyrat e punës.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës bëri të ditur se është arrestuar i dyshuari Z.H., referent i lartë për regjistrimin e lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave me vulën e vërtetësisë pranë Gjykatës Themelore në Pejë.
Në njoftimin e Policisë thuhej se hetimet janë zhvilluar disa muaj rresht nga hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë (NJRHKEK-Pejë).
Kësisoj, pas hetimeve disa mujore, duke zbatuar edhe masat e fshehta të hetimeve, Policia ka arritur të sigurojë prova/dëshmi lidhur me të dyshuarin Z. H., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1959), referent i lartë për regjistrimin e lëndëve jokontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave me vulën e vërtetësisë pranë Gjykatës Themelore në Pejë.
I dyshuari është inkriminuar në veprën penale “marrje e ryshfetit”, në rastin kur nga qytetari të cilit i shërben, konkretisht nga i dyshuari D. Sh., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1971), pranon një sasi të hollave.
Andaj, i dyshuari Z. H., nga vendi i punës sot është shoqëruar në zyrat e NJRHKEK-Pejë për t’u intervistuar në prezencën e avokatit të tij mbrojtës.
Pas intervistimit është informuar prokurori i rastit i cili ka lëshuar vendimin mbi ndalimin policor prej 48 orësh.
I dyshuari i dytë D. Sh. për veprën penale “dhënie e ryshfetit” nuk është intervistuar, pasi që i njëjti dyshohet se gjendet duke punuar dhe jetuar në Gjermani.
Linku nga lajmi paraprak: https://www.rolpik.org/arrestohet-nje-zyrtar-i-gjykates-nen-dyshimin-per-marrje-te-ryshfetit/
Lajmet në fokus