Fillon rishtazi gjykimi ndaj të akuzuarve për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Urata Gashi

09:08 / 02 Nëntor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dje ka filluar rishtazi shqyrtimi gjyqësor ndaj Ramadan Mavraj, Muharrem Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi, Flamur Mavraj dhe Rexhë Kastrati, të akuzuar për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi.

“Drejtësia Sot” raporton se shkak për fillimin rishtazi të gjykimit të këtij rasti ishte se me vendim të kryetares së gjykatës, gjyqtari Lutfi Shala tash e tutje do të jetë kryetar i trupit gjykues, duke zëvendësuar kështu gjyqtaren Shadije Gërguri.

Sa i përket deklarimit lidhur me fajësinë, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm, e po ashtu prokurori i rastit, Atdhe Dema, dhe mbrojtësit e të akuzuarve kanë theksuar se mbesin në tërësi pranë fjalëve hyrëse të dhëna më parë.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Mavraj, avokati Tomë Gashi, ka thënë se eksperti financiar Basri Fazlija i propozuar nga prokuroria, nuk është përgjigjur në shumë pika të aktvendimit të lëshuar nga prokurori i çështjes.

I njëjti, për mos t’i lënë dilema trupit gjykues të atëhershëm por edhe të tanishëm, ka propozuar dhe gjykata ka pranuar ekspertin financiar Naser Prapashtica. Tutje, avokati Gashi ka shtuar se një ekspertizë e tretë financiare është e panevojshme dhe trupi gjykues do të bindet edhe vetë.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Flamur Mavraj, avokati Visar Vehapi ka theksuar se nuk ka ndonjë nen që ndalon huazimin e parave.

Pas fjalës hyrëse, ka vazhduar procedura e paraqitjes së provave personale, ashtu që të gjitha palët në procedurë janë pajtuar që pasi që dëshmitarët janë dëgjuar, deklaratat e tyre të lexohen.

Tutje, ka vazhduar procedura e administrimit të provave materiale, ashtu që palët në procedurë janë pajtuar që të njëjtat të konstatohen të lexuara.

Kurse trupi gjykues ka aprovuar propozimin e avokatit Tomë Gashi, që të administrohet si provë materiale ekspertiza e ekspertit financiar Naser Prapashtica. Gjithashtu ka aprovuar edhe propozimin e avokatit Taulant Rracaj që të administrohet si provë aktgjykimi i Gjykatës së Prishtinës me të cilin është anuluar raporti final i ATK-së për veprën penale shmangie tatimore.

Tutje, edhe deklarimet e ekspertëve nga seancat e kaluara janë konstatuar të lexuara.

Në fund trupi gjykues ka njoftuar se nuk mund të procedohet tutje, pasi që ekspertizat e dy ekspertëve janë kontradiktore mes veti. Trupi gjykues vendosi që të urdhërojë ekspertizë të veçantë financiare nga një grup i ekspertëve.

Seanca e radhës do të caktohet pasi që trupi gjykues të pranoj ekspertizën nga grupi i ekspertëve.

Sipas aktakuzës të pandehurit Ramadan Mavraj dhe Muharrem Mavraj, nga viti 2010 e deri në 2017, në vazhdimësi, me dashje, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktiviteti kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë, kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme (kesh), në llogaritë individuale.

Të pandehurit Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, nga viti 2010 deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, kanë konvertuar dhe transferuar pasurinë, ashtu që kanë kryer transaksione të shumta huazimi për qëllim të maskimit dhe shtresimit të mjeteve financiare të siguruara nga shmangia tatimore dhe aktiviteti kriminal, kanë transferuar shuma parash mes xhirollogarive të tyre me përshkrime të ndryshme si huazim dhe kthim huazimi.

Sipas prokurorisë speciale, të pandehurit tjerë Flamur Mavraj, Xhelal Kastratu, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Pastrimi i parave” nga neni 308 i KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2, nën paragrafi 1.5 dhe paragrafi 3, nën paragrafi 3.1, të Ligjit Nr. 05/L-096 mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Po ashtu, gjashtë të pandehurit, dyshohen se gjatë periudhës kohore 2010 – 2017, në vazhdimësi, me qëllim të shmangies së pagimit të tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara më ligj, nuk kanë deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i kanë përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tyre, ashtu që kanë dhënë informata jo të sakta nga veprimtaritë e tyre afariste.

Me këto veprime të lartcekurit kanë kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” si dhe e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 459.738.80 euro.