Eksperti mjekoligjor: Në trupin e Marigona Osmanit janë gjetur medikamente qetësuese dhe kanabis

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga Valentina Shahini

13:57 / 10 Nëntor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në gjykimin ndaj Dardan Krivaçës e Arbër Sejdiut, eksperti mjekoligjor ka thënë në trupin e Marigona Osmanit janë gjetur medikamente qetësuese dhe kanabis, raporton “Drejtësia Sot“.

Një deklarim të tillë eksperti mjekoligjor Naim Haliti e ka dhënë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në rastin ku Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu po akuzohen për vrasjen dhe dhunimin e Marigona Osmanit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Valdet Avdiu, eksperti Haliti ka thënë se në bazë të ekzaminimit të brendshëm, të jashtëm dhe analizave të tjera përcjellëse është konkluduar se vdekja e Marigona Osmanit ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e politraumës.

Tutje, ai ka shpjeguar se çka kuptohet me politraumën, e që sipas tij nënkupton lëndimet të cilat ndodhen në trupin e personit apo kufomës janë më shumë se dy të ndryshme, dhe më shumë se dy lokacione të ndryshme në trup.

Sipas tij, të gjitha lëndimet kanë qenë të shkaktuar nga ndonjë mjet mprehtës siç mund të jenë goditjet me mjet, shtytjet, apo edhe përplasjet në mjetë, duke shtuar se tek e ndjera kanë qenë të konstatuara mbi 12 thyerje në trup.

Ndryshe, fillimisht në këtë seancë është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit mjeku i cili e ka pranuar Marigona Osmanin në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Ferizajit, Burim Maloku.

Maloku tha se Marigona Osmanin në spital ishte sjellë pa shenja jetë, nga dy persona, duke shtuar se posa kishte dal në korridor për t’i pyetur, të njëjtit kishin qenë duke u larguar nga emergjenca.

Në fund të gjykimit kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Krasniqi ka thënë se seanca duhet të ndërpritet.

Ndërsa, seancën e radhës  e ka shtyrë për afat të pacaktuar, pasi sipas tij dëgjimi i dëshmitarit Besart Mani është i rëndësishëm, dhe sipas familjarëve i njëjti do të gjendet në Kosovës për vitin e ri.

Kujtojmë që më 28 qershor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.

Aktakuza ndaj Krivaçës dhe Sejdiut është ngritur lidhur me rastin e dhunimit dhe vrasjes së Marigona Osmanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, Krivaça dhe Sejdiu me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Po ashtu, për të pandehurin Dardan Krivaça ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Ndërsa i pandehuri Arbër Sejdiu me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaçës, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Linku nga lajmi paraprak: https://www.rolpik.org/degjohet-nje-deshmitar-ne-gjykimin-per-dhunimin-dhe-vrasjen-e-marigona-osmanit/