Gjykata Themelore në Mitrovicë sot u vizitua nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, dhe Drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi.
“Drejtësia Sot” raporton se kjo vizitë u bë si shkak i situatës së krijuar me dorëheqjet e dorëzuara nga gjyqtarët dhe stafi administrativ serb i Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Nga komunikata për media e KGJK-së thuhet se gjatë kësaj vizite, kryesuesi Zogaj dhe drejtori Maliqi kanë takuar nënkryetarin Bekim Veliqi, gjyqtarët, administratoren dhe stafin administrativ të kësaj gjykate.
Më këtë rast thuhet se u diskutua për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës së gjykatës pa ndërprerje në situatën aktuale.
Kryesuesi Zogaj dhe Drejtori Maliqi u siguruan nga nënkryetari Veliqi dhe administratorja, se gjykata është duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për organizmin e procesit të punës në pajtim me aktet ligjore në fuqi.
Zogaj siguroi se Këshilli është i vendosur për ofrimin e gjithë mbështetjes së nevojshme me qëllim që Gjykata Themelore në Mitrovicë të funksionojë edhe në rrethanat aktuale për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Kujtojmë që nga dita e hënë është raportuar se rreth 25 gjyqtarë dhe stafi administrative serb i Gjykatës Themelore të Mitrovicës i kanë deponuar dorëheqjet e tyre nga këto pozita.
Dorëheqjet e tyre vijnë si rezultat i suspendimit të drejtorit rajonal të policisë në veri, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave.
“Drejtësia Sot” raporton në vazhdimësi lidhur me dorëheqjet e dorëzuara nga gjyqtarët dhe prokurorët serb, link: https://www.rolpik.org/deshton-mbajtja-e-seancave-gjyqesore-si-shkak-i-doreheqjeve-te-gjyqtareve-dhe-prokuroreve-serb/
Lajmet në fokus