Dëgjohet një dëshmitar në gjykimin për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga Valentina Shahini

13:20 / 09 Nëntor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në gjykimin për vrasjen dhe dhunimin e Marigona Osmanit, ku po akuzohen Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar Endrit Kukaj, raporton “Drejtësia Sot“.

Dëshmia e dëshmitarit Kukaj është dhënë pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj, në gjykimin që po udhëhiqet nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sahit Krasniqi.

Dëshmitari Kukaj, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Valdet Avdiu, ka thënë se me të akuzuarin Dardan Krivaçën përveç lidhjeve familjare kanë pasur edhe raporte shoqërore.

Ai ka deklaruar se pasi që ka ndodhur rasti, deri sa Dardan Krivaça kishe qenë në arrati, nëna e Dardan Krivaçës e kishte telefonuar babin e tij dhe i kishte thënë se Dardani ka me rreh siç e kishte rrahur një grua, duke shtuar se nuk i kishte treguar për arsyet.

Ai tha se nga koha kur Dardan Krivaça kishte filluar të bashkëjetonte me Marigona Osmanin më nuk kishte shkuar në banesën e tyre.

Pas kësaj, i akuzuari Dardan Krivaça ka thënë se para se të ndërronte jetë e ndjera Marigona Oasmani, në orën 11:00, e ka telefonuar dëshmitarin Kukaj dhe sipas tij e ndjera e kishte pranuar dhe kanë pas lidhje intime me të, duke shtuar se në gjë e tillë ishte përsëritur sa herë deri sa i njëjti nuk kishte qenë në nga banesë.

Pastaj ai e ka  pyetur dëshmitarin se pse Marigona e ka akuzuar konkretisht atë, i cili ka thënë se nuk është e vërtet që e kishte telefonuar, duke shtuar se nuk qenë në dijeni për këtë rast.

Kurse, gjatë deklarimit të dëshmitarit Kukaj, i akuzuari Dardan Krivaça ka reaguar ndaj dëshmitarit duke i thënë se ky është personi që ia ka shkatërruar jetën.

Pas kësaj, pasi dy dëshmitarë Besart Mani dhe Burim Maloku kanë munguar, gjykatësi i rastit Sahit Krasniqi e ka ndërprerë seancën, ndërsa e radhës pritet të mbahet nesër me 10 nëntor 2022, ora 10:00.

Kujtojmë që më 28 qershor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.

Aktakuza ndaj Krivaçës dhe Sejdiut është ngritur lidhur me rastin e dhunimit dhe vrasjes së Marigona Osmanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, Krivaça dhe Sejdiu me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Po ashtu, për të pandehurin Dardan Krivaça ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Ndërsa i pandehuri Arbër Sejdiu me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaçës, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Linku nga lajmi paraprak: https://www.rolpik.org/babai-i-marigona-osmanit-kerkon-denim-maksimal-per-dardan-krivacen-e-arber-sejdiun/