Arrestohen 14 persona të dyshuar për mashtrime përmes biznesit “Call Center”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

09:10 / 09 Nëntor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjatë ditës së djeshme janë arrestuar 14 persona nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Shpëlarja e parave”, “Mashtrimi” dhe “Hyrje në sisteme kompjuterike”.

Kjo u bë e ditur nga komunikata e përbashkët nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Policisë së Kosovës (PK).

Sipas komunikatës, arrestimi i 14 të dyshuarve ka ardhur si rezultat i një aksioni policor në disa qendra të thirrjeve të njohura si “Call Center”, në disa lagje të Prishtinës.

Ky aksion thuhet se është zhvilluar me urdhër të PSRK-së nga sektori për hetime të krimeve kibernetike i Policisë së Kosovës.

Në komunikatë thuhet se Policia e Kosovës ka zbatuar autorizimin e lëshuar nga PSRK si dhe urdhëresën e gjykatës, që kanë të bëjnë me identifikimin e disa personave të dyshuar, arrestimin e tyre dhe marrjen në pyetje, kontrollin e lokacioneve të personave të dyshuar dhe sekuestrimin e provave.

Po ashtu, PSRK njofton se ky hetim disa mujor është bërë në bashkëpunim edhe me autoritetet gjermane.

Gjithashtu, ekziston dyshimi i bazuar se këta persona kanë regjistruar si biznes “Qendër të thirrjeve” në Kosovë dhe përmes saj kanë komunikuar përmes telefonit me shtetas të ndryshëm përfshirë edhe gjermanë.

Gjatë komunikimeve kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime.

Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimi i faqeve në internet.

Operacioni është zhvilluar në mbështetje të njësive të ndryshme policore (patrulla policore, njësitë e krimteknikës, njësia k-9).

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar katërmbëdhjetë (14) persona të dyshuar të cilët janë kapur në flagrancë, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor i cili është shtetas i huaj.

Po ashtu, në cilësi të provave gjatë këtij aksioni janë sekuestruar sende të ndryshme të cilat do të përdoren në procedurë të mëtutjeshme: 2 vetura, 167 kompjuter desktop, 3 kompjuter laptop, 21 telefona mobil, 2 DVR, 2 HDD, 2 USB memorie, dokumente të ndryshme dhe prova tjera elektronike relevante për rastin. 

Me urdhër të prokurorit të shtetit, 14 personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh./Drejtësia Sot