Sot në Departamentin e Përgjithshëm – Divizionin Penal të Gjykatës Themelore në Prishtinë është anuluar seanca gjyqësore ndaj Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Lajmi për “Drejtësia Sot” është konfirmuar nga zyra e gjyqtares së rastit Edita Çanta, ku thuhet se anulimi i seancës së sotme është bërë duke u mbështetur në vendimin e KGJK-së për reduktimin e aktiviteteve të gjykatave.
Ndryshe, Kryeparlamentari Konjufca akuzohet se me 10 gusht 2016, ka përdor armë apo mjet të rrezikshëm si dhe ka penguar personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Por si edhe qindra seanca të tjera edhe kjo në rastin e Kryeparlamentarit Konjufca është anuluar në bazë të vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Ndër të tjera në këtë vendim parashihet që gjykatat të trajtojnë vetëm rastet e natyrës urgjente sipas listës së shërbimeve esenciale të këtyre institucioneve dhe vlen deri më 8 dhjetor 2022.
Kujtojmë që nga data 24 nëntor e deri më tani janë anuluar qindra seanca gjyqësore si rezultat i reduktimit të aktiviteteve nga ana e prokurorive dhe gjykatave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Glauk Konjufca ngarkohet për veprat penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm si dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
I akuzuari Konjufca ngarkohet se më 10 gusht 2016, si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë mbledhjes ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, ka përdorur gazin lotsjellës.
Aktakuza sqaron se i akuzuari Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin dhe disa deputetë të Kuvendit në kryerjen e detyrave zyrtare./Drejtësia Sot
Lajmet në fokus