Aktakuzë ndaj personit që kundërligjshëm shiste prona në emër të AKP-së

Prokuroria

Monitoruar nga Liridon Salihi

14:36 / 03 Nëntor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Sh.M.

Drejtësia Sot” raporton se aktakuza e ngarkon të akuzuarin Sh.M., se ka kryer veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, si dhe “Prezantimi i rremë si person zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ka mashtruar një numër të të dëmtuarve në qytetin e Tuzllës të Bosnje e Hercegovinës dhe në Podgoricë të Malit të Zi.

Prokuroria pretendon se përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), si dhe prezantimit të rrejshëm si person zyrtar, kinse i autorizuar nga zyrtari i AKP-së, Sh.M., ka shitur dy prona të NSH “Jatex” të Gjakovës, në qytetet e lartcekura, e të cilat prona gjenden nën menaxhimin dhe administrimin e AKP-së.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit” – thuhet në fund të komunikatës për media.

Kujtojmë që dyshuari Sh.M., ishte arrestuar më 26 shtator 2022, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në koordinim me Policinë e Kosovës-Krimet Ekonomike dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Më këtë rast, të dyshuarit i ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, e më pas edhe masa e paraburgimit.

Po ashtu, në këtë është çështje penale me urdhër të prokurorit ishte sekuestruar një veturë, një telefon, para në vlerë prej 900€ (nëntëqind) euro dhe prova të tjera të cilat do të shërbejnë në procedurë.

“Drejtësia Sot” ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast, link: https://www.rolpik.org/ndalohet-personi-qe-kunderligjshem-shiste-asetet-ne-emer-te-akp-se/