Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan bën të ditur se gjatë ditës së djeshme ka pranuar informata për një rast të dhunës në familje që dyshohet se ka ndodhur në këtë qytet.
“Drejtësia Sot” raporton se bëhet fjalë për viktimën femër kosovare e cila ka raportuar në Polici se e njëjta është sulmuar fizikisht nga vajza e saj, pas një mosmarrëveshje që kishte ndodhur mes tyre.
Policia bën të ditur se e dyshuar është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit e është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndryshe, në raportin 24 orësh, ky institucion ka njoftuar edhe për tri raste të dhunës në familje që kanë ndodhur në Pejë, Shtime dhe në Vushtrri.
Lidhur me rastin që dyshohet se ka ndodhur në Pejë, Policia raporton se: “Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë. Pas intervistimit në konsultim me prokurorin, i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Kurse sa i përket rastit të raportuar në Shtime, Policia njofton se është duke e hetuar rastin e raportuar nga ankuesja – shtetase e Maqedonisë së Veriut, se ish-burri i saj i dyshuari mashkull kosovar ka kryer dhunë në familje.
Në fund, lidhur me rastin e raportuar në Vushtrri, thuhet se “Është arrestuar një mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij femër kosovare duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.
“Drejtësia Sot” në vazhdimësi njofton publikun lidhur me rastet e dhunës në familje që raportohen në Policinë e Kosovës.
Lajmet në fokus