Refuzohet kërkesa e ish-ministres Dhurata Hoxha për përjashtim të prokurorit special Dren Paca

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Urata Gashi

20:16 / 21 Tetor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë sot ka filluar shqyrtimi kryesor në rastin ku ish-ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE), Dhurata Hoxha, dhe katër zyrtarët tjerë të kësaj ministrie po akuzohen për korrupsion.

“Drejtësia Sot” raporton se në fillim të seancës, ish-ministrja Hoxha ka deklaruar se ka pranuar vendim lidhur me kërkesën e saj për përjashtimin e prokurorit special Dren Paca, por e njëjta është refuzuar.

Kurse, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, ka thënë se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim nga Prokuroria Speciale lidhur me kërkesën e ish-ministres Hoxha për përjashtimin e prokurorit Paca.

Për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, ky shqyrtim ka filluar rishtazi. Të gjitha palët në procedurë janë pajtuar që veprimet procedurale dhe procesverbalet e kaluara, të konstatohen të lexuara dhe të procedohet tutje.

Për të dhënë dëshminë e tij është ftuar dëshmitari Dukagjin Abdyli, kjo pasi që dëshmia e tij ndërlidhet me ish pozitën e tij në Ministrinë e Integrimeve Evropiane (MIE).  Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Dren Paca, dëshmitari ka deklaruar se është hartues i “Opinionit për shërbime të konsulencës ndërkombëtare përmes procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit”.

“Kërkesën për opinionin në fjalë e ka iniciuar ministrja, e cila ka kërkuar nga departamenti ligjor i MIE të bëj analizimin e kërkesës që kabineti i të njëjtës kishte kërkuar për shërbime ndërkombëtarë të konsulencës”, ka deklaruar Abdyli.

Në takimin me ministren Hoxha, dëshmitari deklaron se ajo e ka shprehur hezitimin e rezervave nga sekretari i atëhershëm i ministrisë, për procedurën e propozuar të prokurimit publik dhe e njëjta ka kërkuar që ky opinion të hartohet në periudhe prej një orë.

Në pyetjen e prokurorit se kërkesa për inicimin e kësaj procedure, a mund të përmbaj emrin e operatorit ekonomik (OE) me të cilin duhet nënshkruar kontrata, dëshmitari ka thënë se këtë nuk e di por e di se kërkesa e tillë ka përmbajtur emrin e OE.

Tutje, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarës Hoxha, duke thënë se kërkesa për opinion ligjor e ka shpreh natyrën urgjente por nuk ka pasur indikacione se çka duhet të përmbajë.

Kurse, në pyetjen e avokatit Nuhi Geci se a ka qenë qëllimi i kontratës shkëmbimi i territorit të Kosovës ashtu siç është folur në media, dëshmitari e ka mohuar këtë.

Tutje, dëshmitari është pyetur edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Demush Shasha, avokati Rrecaj, duke u përgjigjur se kërkesën për opinion e ka pranuar nga Shasha së bashku me të gjitha dokumentet tjera të nevojshme.

“Qëllimet e inicimit të procedurës së prokurimit kanë qenë shtyrja përpara e një fushate të fuqishme të komunikimit që do të mbrojë interesin kryesor të Kosovës,  tek vendimmarrësit në Francë dhe në BE”, ka deklaruar dëshmitari Abdyli.

Tutje, i njëjti është pyetur nga prokurori Paca se a qëndron pranë deklaratës së tij të dhënë në prokurori, në të cilin rast dëshmitari kishte deklaruar se ministria nuk ka kompetenca që të iniciojë procedurë të prokurimit, përcaktojë procedurë të prokurimit dhe Operatorin Ekonomik, dëshmitari ka thënë se qëndron pranë deklaratës.

Dëshmitari ka deklaruar se ka qenë duke e mbajtur pozitën e ushtruesit të detyrës, pas këtij opinioni në afat të afërt ka pasuar kthimi i tij në udhëheqjen e divizionit, pa sqarim nga askush.

Kurse në fund, gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorit që në seancën e planifikuar të mbahet me 21 nëntor 2022, në cilësi të dëshmitarit të ftohet Valon Jonuzi.

Sipas aktit akuzues, ish-ministrja Hoxha, më datë 11.05.2018, ka tejkaluar kompetencat e saja duke dërguar kërkesë tek Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, tani i pandehuri Demush Shasha, nisjen e procedurave tenderuese për aktivitetin Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së, duke përcaktuar procedurën e prokurimit që duhej aplikuar dhe duke përcaktuar kompaninë “Majorelle PR and events” si operator me të cilin duhej të lidhej kontrata.

Aktakuza thotë se ky veprim është ndërmarrë ndonëse duke u bazuar në ligj kjo nuk ishte kompetencë e ministres dhe në këtë mënyrë operatorit të lartcekur i ka mundësuar përfitim në vlerë prej 180 mijë eurosh. Ndërsa akti akuzues thotë se ish-ministrja Hoxha, më datë 21.02.2019 kishte marrë përsëri të njejtat veprime me qëllim të vazhdimit të kësaj kontrate.

Aktakuza gjithashtu thotë se e njëjta akuzohet që ka vepruar në të njëjtën mënyrë, për të njëjtin aktivitet të prokurimit duke i mundësuar kompanisë tjetër “Madison Global Strategies LLC” përfitimin në vlerë prej më shumë se 150 mijë eurosh. Lidhur me këto të procedura të tenderimit po akuzohen edhe Drejtori i Divizionit të Prokurimit në MIE, Fitim Mustafa dhe dy Sekretarët e Përgjithshëm, Demush Shasha e Kushtrim Cukaj.

Sipas aktit akuzues ata kanë iniciuar dhe zhvilluar këto procedura tenderuese edhe pse ka qenë në dijeni se kërkesat e ministres kanë qenë në kundërshtim me ligjin. Në këtë akt akuzues i përfshirë është edhe Nuhi Osmani, i cili dyshohet se si UD i Sekretarit të Përgjithshëm në MIE ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Majorelle PR and events”, me ç ‘rast i ka mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë prej 180 mijë eurosh.