Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, të akuzuar për rastin e vjedhjes së 2 milion eurove nga Thesari i Shtetit, raporton Drejtësia Sot.
Kryetari i trupit gjykues Arben Hoti, në seancën e sotme ka njoftuar se e njëjta fillon rishtazi për shkak të ndryshimit të anëtarëve të trupit gjykues. Kurse palët në procedurë janë pajtuar që të gjitha veprimet procedurale të mëhershme, të konsiderohen të lexuara.
Tutje, seanca ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes së të akuzuarve, ku i akuzuari Labinot Gruda ka shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje.
Kurse i akuzuari Kadri Shala, është përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Florent Latifaj duke thënë se i vjen keq për rastin pasi që paratë në fjalë janë të taksapaguesve. I njëjti ka kërkuar nëse është e ligjshme, të bashkëpunoj me ministritë përkatëse, që gradualisht t’i kthejë mjetet.
Shala ka deklaruar se asnjëherë nuk i ka ndihmuar Labinot Grudës për kryerjen e kësaj vepre penale, sepse nuk ka pasur arsye.
Tutje i njëjti ka sqaruar se ka qenë në Turqi kur ka kuptuar se paratë që i janë transferuar kanë qenë të Thesarit të Shtetit, kurse ka kërkuar që të kthehet për tu sqaruar.
Pas përfundimit të pyetjeve nga avokati i tij Florent Latifaj, i akuzuari Shala shfrytëzoi të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje.
Gjyqtari Hoti ka njoftuar se në seancën e radhës do të ftohen palët e treta dhe do të dëgjohen pretendimet e tyre.
Gjykimi ndaj të akuzuarit Gruda dhe Shala do të vazhdojë edhe më tutje të gjykohet në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në seancën e radhës e cila do të mbahet me datë 23 nëntor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale i pandehuri Labinot Gruda akuzohet se si person zyrtar, menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK), ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndërhyrë në ndarjen buxhetore. Këtë gjë konkretisht e ka bërë duke ndërhyrë në kërkesat e hapura të Ministrisë së Infrastrukturës për projektet kapitale, rehabilitimin e rrugëve Zhur-Dragash në vlerë prej 330,092.00 euro, Prizren-Prevallë në vlerë prej 750,000.00 euro, Prizren-Prevallë në vlerë prej 375,000.00 dhe projektin Prishtinë-Mitrovicë në vlerë prej 622,903.90 euro, dhe ka transferuar shumën prej 2,077,995.90 euro në llogarinë bankare 2024000176462178 në TEB Bank në emër të “LDA GROUP” SH.P.K.
Aktakuza tutje shpjegon se, për të bërë këto transfere Labinot Gruda ka përditësuar klasën funksionale të tij në SIMFK, duke i mundësuar vetes regjistrimin e operatorëve ekonomik. Më pas Gruda ka regjistruar operatorin ekonomik “LDA GROUP” SH.P.K me numër të llogarisë bankare 2024000176462178 në TEB Bank. Po ashtu, ai ka krijuar përdorues fiktiv dhe nëpërmjet tyre ka bërë bartjen e shumave të lartcekura.
Për këto veprime Labinot Gruda akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ”Hyrje në sistemet kompjuterike” dhe ”Vjedhje e identitetit dhe pajisja e qasjes”.
Ndërsa, sipas aktakuzës, i pandehuri Kadri Shala akuzohet se, si i autorizuar ligjor i kompanisë “LDA GROUP” SH.P.K, ka kryer veprën penale “Ndihmë” duke i dhënë në dispozicion të pandehurit Labinot Gashi të dhënat e plota të subjektit juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare në TEB Bank.
Gjithmonë sipas aktakuzës të pandehurit Labinot Gruda dhe Kadri Shala, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpëlarje të parave”, në atë mënyrë që me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes ose pronësisë së parave të transferuara, në mënyrë të kundërligjshme, kanë bërë pagesa në emër të kompanisë “LDA GROUP” SH.P.K kinse për punët e kryera për Institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht riparimin e rrugëve.
Lajmet në fokus