Performancë e dobët e prokurorëve në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

19:53 / 21 Tetor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Nën udhëheqjen e kryesuesit Jetish Maloku, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) sot ka mbajtur takimin e 220-të më radhë.

Në këtë mbledhje, anëtarja e Komisionit mbikëqyrës për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike që rrjedhin nga Plani Strategjik i sistemit Prokurorial 2022-2024, prokurorja Laura Pula, prezantoi raportin e këtij komisioni për periudhën janar – qershor 2022.

Nga të dhënat e përfshira në raport konstatohet se lidhur me këto raste, në periudhën raportuese kanë qenë në punë 554 lëndë, prej të cilave vetëm 100 janë proceduar/zgjidhur.

Po ashtu, nga raporti u konstatua se asnjëri nga gjashtë prokurorët në kuadër të Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nuk e kanë arritur as 50% të normës së rasteve që është dashur t’i përfundojnë brenda kësaj periudhe raportuese.

Kësisoj, anëtarët e KPK-së u pajtuan se nga të gjeturat e raportit Prokuroria Themelore në Prishtinë por edhe prokuroritë e tjera në gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë treguar performancë të dobët në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

Tutje, KPK në këtë takim ka aprovuar propozimin e anëtares Jehona Grantolli, që në rend të ditës  të jetë edhe diskutimi lidhur me kushtet e punës në Pallatin e Drejtësisë.

Më pas, mbledhja ka vazhduar me miratimin e procesverbaleve nga dy takimet e kaluara të Këshillit si dhe me miratimin e  Udhëzimit për Përdorimin e Simboleve dhe Vulave në Sistemin Prokurorial.

Si pikë e rendit të ditës ishte edhe prezantimi dhe aprovimi i raportit të mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për veprat penale karakteristike për periudhën janar-qershor 2022.  

Në kuadër të këtij raporti u tha se përfshihen të dhëna për gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, sa i përket rasteve të trashëguara, të pranuara, të zgjidhura dhe atyre që mbesin në punë në prokuroritë e vendit për nëntë lloje të veprave penale karakteristike (armët, drogat, kontrabandimin me migrantë, krimi i organizuar, korrupsion, shpëlarje të parave, trafikim me njerëz, krimet ekonomike dhe nxitja e urrejtjes)

Ndër të gjeturat kryesore të këtij raporti theksohen numri i madh i rasteve të korrupsionit të regjistruara në regjistrin PPN dhe numri shumë i vogël i ankesave të prokurorëve kundër aktgjykimeve të gjykatave të shkallës së parë.

Tutje, në rend të ditës ishte edhe raportimi i Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik për periudhën prill –qershor 2022, mirëpo kjo pikë u vendos të trajtohet në takimin e radhës të KPK-së.

Këshilli ka miratuar raportin e Komisionit për transferimin dhe avancimin e prokurorëve për procesin e avancimit të një prokurori në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Në këtë pozitë u vendos që të avancohet i vetmi kandidat prokurori Sadri Aliaj, mandati i të cilit fillon nga 1 nëntor 2022.

Takimi i sotëm ka vazhduar me raportimin e kryetarëve të katër komisioneve të përhershme të KPK-së dhe me miratimin e dokumentit të politikave të trajnimit për prokurorët dhe stafin administrativ të sistemit prokurorial si dhe Planit të nevojave për trajnimin e prokurorëve dhe stafit administrativ.

Tutje, KPK ka miratuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi, për rritjen e numrit të prokurorëve, ashtu që u mor vendim që nga data 1 nëntor 2022 të shpallet konkursi për avancim të tre prokurorëve në këtë Prokurori.

Ndërsa lidhur me kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, për avancimin e gjashtë prokurorëve në Departamentin për Krime të Rënda, kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë për takimin e radhës.

Më pas, në këtë takim KPK ka themeluar Komisionin për Zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit, i cili do të përbëhet nga anëtari i Këshillit, profesor Agron Beka, prokurori Agron Qalaj dhe zyrtari Fehmi Zejna.

Mbledhja ka vazhduar me shpalljen e konkurseve për Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së dhe Drejtorin e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë si dhe me themelimin e Komisioneve rekrutues për këto pozita.

Pjesa tjetër e takimit ka vazhduar pa praninë e mediave por nga komunikata e KPK-së thuhet se anëtarët e këtij institucioni kanë miratuar edhe raportin për vlerësimin e performancës së njëmbëdhjetë (11) prokurorëve me mandat të përhershëm.

GLPS/Drejtësia Sot raporton në vazhdimësi për takimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës, link: https://www.rolpik.org/vendimi-i-kpk-se-prokuroria-themelore-ne-prishtine-dhe-ajo-e-apelit-do-te-trajtojne-vetem-rastet-e-natyres-urgjente/