Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar tri raste të dhunimit, dy prej tyre në Gjakovë dhe një rast në Ferizaj, raporton “Drejtësia Sot”.
Sipas raportit policor, në rastin e parë që dyshohet se ka ndodhur në Gjakovë, viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me dhunë e ka futur në veturën e tij dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Lidhur me rastin, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Gjithashtu gjatë ditës së djeshme në Gjakovë është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje edhe një i dyshuar për veprën penale të dhunimit.
Sipas Policisë, rasti ishte raportuar nga viktima femër kosovare se dy persona të dyshuar të maskuar me dhunë e kanë futur në veturën e tyre dhe kanë dhunuar seksualisht.
Nga raporti 24 orësh bëhet e ditur se viktima e këtij rasti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rast i dhunimit në 24 orët e fundit ka ndodhur edhe në Ferizaj, ku viktima femër kosovare ka njoftuar se ish i fejuari i saj, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”- thuhet në raportin e Policisë së Kosovës./Drejtësia Sot
Lajmet në fokus