Në 24 orët e fundit raportohen pesë raste të dhunës në familje

Policia e Kosovës

Monitoruar nga Dafina Maxhuni

10:14 / 12 Tetor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar pesë raste të dhunës në familje, raporton Drejtësia Sot.

Kësisoj, bazuar në këtë raport nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës u raportua një rast ku viktima femër kosovare, ka raportuar se bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, kishte  ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti në procedurë të rregullt.

Edhe nga Drejtoria Rajonale e Ferizajt është raportuar një rast, ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.   

Në bazë të raportit shtesë të kësaj Drejtorie, në Shtime lidhur me një rast të raportuar më datë 11.10.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale dhunë në familje. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. 

Nga Drejtoria Rajonale e Pejës është raportuar një rast ku  është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare.  Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.  

Në anën tjetër edhe nga Drejtoria Rajonale në Mitrovicë Jug është raportuar për një rast ku ankuesja femër kosovare, ka raportuar se para një jave, pas një mosmarrëveshje ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti hetohet në procedurë të rregullt.  

Drejtësia Sot” njofton në vazhdimësi lidhur me rastet e dhunës në familje që raportohen nga Policia e Kosovës.