Nga komunikatat për media të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është bërë e ditur se të martën dhe të mërkurën janë arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte në Kosovë.
Në komunikatën e së martës, PSRK njoftoi opinionin publik se në Budapest të Hungarisë, sipas Urdhërarrestit Ndërkombëtar të kërkuar nga kjo prokurori, është ndaluar personi me inicialet S.S., i nacionalitetit serb.
PSRK theksoi se ndaj S.S., është nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit për shkak që i njëjti dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës.
S.S., dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë vrarë tridhjetetre (33) persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore.
Kurse të mërkurën, PSRK njoftoi opinionin publik se në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar të pandehurin me inicialet E.B, i nacionalitetit boshnjak.
PSRK njoftoi se i pandehuri E.B., dyshohet se gjatë viteve 1998 – 1999, ka qenë me detyrë polic në stacionin policor të fshatit Gjurakoc të Komunës së Istogut, si dhe ka qenë pjesëmarrës në kryerjen e masakrës së Staradranës, ku kanë mbetur të vrarë tetëmbëdhjetë (18) persona.
Me këto veprime të pandehurit S.S., dhe E.B., dyshohen se ka kryer veprën penale “Krim i Luftës kundër popullatës civile, i sanksionuar me nenin 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së. /Drejtësia Sot
Lajmet në fokus