Ish-ministri dënohet me një vit burgim lidhur me deklaratat për masakrën e Reçakut

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Valentina Shahini

13:53 / 19 Tetor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special e ka dënuar me një vit burgim ish-ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike”.

“Drejtësia Sot” raporton se aktgjykimi ndaj ish-ministrit Todosijeviq është shpallur nga trupi gjykues i përbërë nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli, anëtarët Valbona Musliu dhe Valon Kurtaj.

Trupi gjykues, fillimisht e ka rikualifikuar veprën penale, ashtu që veprimet e të akuzuarit Todosijeviq i ka cilësuar si kryerje e veprës penale të nxitjes, urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike, nga neni 147 nga paragrafi 1 i KPRK-së.

Pas kësaj, gjykata të akuzuarin Todosijeviq e ka dënuar me një vit burgim.

Po ashtu, të akuzuarin Todosijeviq e ka obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës të paguaj shumën prej 100 euro, si dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

Konxheli po ashtu i njoftoj palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditëve nga dita e marrjes së aktgjykimit.

Ndryshe, Gjykata Supreme këtë rast e ka kthyer në rigjykim pasi që Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë me të cilin Todosijeviq ishte dënuar me dy vite burgim.

Sipas aktakuzës së siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, thuhet se i akuzuari në cilësinë e ministrit të MAPL në Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tij, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim kombëtar, racor dhe etnik midis grupeve që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Më tutje aktakuza sqaron se më datë 24.03.2019, në një tubim kundër interventimit të NATO-s të mbajtur në Zveqan, i pandehuri në cilësinë e folësit dhe pjesëmarrësit, ka thënë se arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura “katastrofë humanitare” në Kosovë e Metohi, se masakra e Reçakut ishte trillim dhe se terroristët shqiptarë janë ata që trilluan gjithë këtë.

Me këtë, të akuzuarit i ngarkohet vepra penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik”.

Ndryshe, Ivan Todosijevic, ishte ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.