Babai i Marigona Osmanit kërkon dënim maksimal për Dardan Krivaçën e Arbër Sejdiun

Gjykata Themelore , Ferizaj

Monitoruar nga Valentina Shahini

08:53 / 27 Tetor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka filluar gjykimi ndaj të akuzuarve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu lidhur me dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

“Drejtësia Sot” raporton se në seancën e së mërkurës, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar babi dhe nëna e tanimë viktimës Marigona Osmani.

Babai i saj, Muhabi Osmani, në deklarimin e tij ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, ti dënoj me dënim kapital.

Ai ka thënë se kur e ka parë vajzën e tij pas vdekjes, e njëjta nofullën e kishte pasur të shkatërruar dhe brutale.

Tutje, ai ka thënë se nëse vdekja e Marigonës do kishte me qenë aksident do t’ia kisha fal, por kjo ka qenë vrasje e ngadalshme, dhe vetëm ajo e dinë se çfarë ka përjetuar nga mizoria e Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut.

Ndërsa, nëna e Marigona Osmani, Valdete Osmani gjatë dëshmisë së saj ka treguar se si e ka kuptuar se vajza e saj ka qenë në lidhje me Dardan Krivaçën, dhe si e kishte vërejtur se ka ndryshuar sjellja e vajzës së saj pas lidhjes me të njëjtin.

Ajo tha se, pasi kishte filluar të bashkëjetonte me Dardan Krivaçën, shumë herë ka vërejtur lëndime trupore te Marigona Osmani, por që sipas saj e njëjta i kishte thënë se është lënduar duke pastruar shtëpinë, duke shtuar se e njëjta kishte humbur shumë peshë.

Po ashtu ajo ka thënë se Dardan Krivaça asnjëherë nuk e kishte lënë të shkonte në shtëpi e vetme, apo të qëndronte dhe të bisedonte vetëm me nënën e saj, e as  të mbante telefon.

Ajo ka pretenduar se vajza e saj nuk i ka treguar se çfarë problemi ka pasur për shkak se ka qenë e kërcënuar.

Ndërsa lidhur me ditën kritike, ajo tha se çfarë kishte ndodhur e kishte kuptuar nga të tjerët, ndërsa kur e kishte parë fytyrën e Marigonës, e njëjta kishte qenë e tëra e nxirë dhe dhëmbët e thyer.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi seancën e ka ndërprerë, ndërsa të radhës i ka caktuar më 9 dhe 10 nëntor 2022, ora 10:00.

Ndryshe, fillimisht në këtë seancë është lexuar aktakuza dhe të akuzuarit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu janë deklaruar përsëri të pafajshëm.

Po ashtu është dhënë fjala hyrëse, ku prokurori Valdet Avdiu ka deklaruar se me provat që do të prezantohen në shqyrtim gjyqësor, do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar në aktakuzës.

Po ashtu edhe avokati i palëve të dëmtuara, Gazmend Rexhepi e ka mbështetur fjalën hyrëse të prokurorit, si dhe ka shtuar se pas administrimit të provave do të vërtetohet saktë aktakuza e prokurorisë, se veprat penale të kryera nga të akuzuarit janë kryer në format më të rënda dhe në rrethana veçanërisht të rënda dhe kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda.

Mbrojtësi i  të akuzuarit Dardan Krivaça, avokati Admir Salihu në fjalën hyrëse ka deklaruar se në përfundim të këtij shqyrtimi gjyqësor nuk do të kaloj akuza e prokurorisë lidhur me veprën penale të dhunimi, dhe nuk do të vërtetohet mënyra apo përshkrimi i veprimeve të cilat prokuroria i ka paraqitur në aktakuzë ndaj të mbrojturit të tij.

Mbrojtësja e të akuzuarit Arbër Sejdiu, avokatja Arbnora Shefkiu në fjalën hyrëse ka deklaruar ka se në këtë shqyrtim gjyqësor do të paraqesin pasqyrën reale se çfarë ka ndodhur në ditën kritike, duke pretenduar se e pa dyshim nuk është ajo siç e përshkruan prokurori në aktakuzë.

Por sipas saj e vërteta është më ndryshe, dhe këtë gjë do ta vërtetojnë përmes provave të cilat vet i ka propozuar prokurori dhe nga dëgjimi i të pandehurve.

Ajo tha se prezenca e Arbër Sejdiut në ditën kritike në të njëjtin ambient me bashkëpandehurin Dardan Krivaqa nuk e bënë përgjegjës sipas aktakuzës së prokurorit të shtetit, përgjegjësia e tij e vetëm është se ka qëlluar në moment dhe në vend të gabuar, andaj gjatë këtij shqyrtimi në fund do të dalim në përfundim me këtë fakt.

Kujtojmë që më 28 qershor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.

Aktakuza ndaj Krivaçës dhe Sejdiut është ngritur lidhur me rastin e dhunimit dhe vrasjes së Marigona Osmanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, Krivaça dhe Sejdiu me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Po ashtu, për të pandehurin Dardan Krivaça ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

Ndërsa i pandehuri Arbër Sejdiu me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaçës, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.