Vazhdon gjykimi për korrupsion ndaj Ragip Begajt dhe të tjerëve

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Valentina Shahini

14:48 / 14 Shtator 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin Special ka vazhduar sot shqyrtimi gjyqësor në rastin ku ish-kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, dhe shtatë persona të tjerë akuzohen për korrupsion, raporton Drejtësia Sot.

Së bashku me Begajn dhe në këtë rast po akuzohen edhe ish-ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasanin,  dhe me të akuzuarit Mal Krasniqi, Bashkim Krasniqi, Hajdin Berisha, Faton Thaçi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj.

Në seancën e udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismajli, është proceduar me dëgjimin e dy dëshmitarëve Shkëlzen Morina dhe Ruzhdi Begaj.

Dëshmitari Shkëlzen Morina duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Naim Abazi, lidhur me procedurën e vlerësimit të pronës prej 87 hektarë, në zonat kadastrale në fshatrat Banjë, Bellanicë, dhe Senik, ka thënë se sipas Ligjit të Shpronësimit për çdo interes publik kompetent për të gjitha procedurat është organi shpronësues në kuadër të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.

Ndërsa, sipas tij vlerësimi i këtyre parcelave është bërë në harmoni me udhëzimin administrativë,  metodologjinë edhe kriteret për vlerësimin e pronave të paluajtshme, e nxjerrë nga Ministria e Financave sipas Ligjit të Shpronësimit, kurse për vlerësimin e pjesës aksesore të këtyre parcelave është përdorur metodologjia e çmimit të tregut.

Tutje, ai ka thënë se vlera totale e kompensimit në emër të shpronësimit për këto parcela ka qenë 4.5 milion euro. Ndërsa ai ka mohuar se ka pasur njohuri se vlera totale e privatizimit të këtyre parcelave ka qenë në sasi prej 1,157 hektar.

Ndërsa i pyetur se a është reale vlera e vlerësimit për shpronësimin e 87 hektarëve në shumë prej 7 milion euro, ai ka thënë se është marr për bazë çmimi i vitit 2010 dhe vendimet e gjykatës, e që sipas tij sipas këtyre vendimi çmimi ka qenë edhe dyfish më i lartë se sa çmimi që e kanë marr për bazë.

Tutje, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Ruzhdi Begaj i cili ka thënë se nga Ahmet Rrahmanaj në vitin 2007 kishte blerë në Bellanicë 30 hektarë tokë, me një çmim prej 25 euro për ari, dhe të cilën tokë në emër të tij tha se e ka bartur në vitin 2009.

Ai ka thënë se në vitin 2011-2012 kur është ndërtuar autostrada Ibrahim Rugova, shteti nga ai kishte marr 1 hektar e 40 ari tokë, me një kompensim prej 700 euro për ari, me një çmim total prej 155 mijë euro.

Ndërsa ai ka thënë se në vitin 2018 i kishte ardhur një njoftim për shpronësimin e pronës në zonën kadastrale në fshatin Bellanicë për 10 hektar tokë të tij, me qëllim të krijimit të zonës ekonomike në Komunën e Malishevës.

Tutje, ai tha se nuk kishte qenë i kënaqur me çmimin prej 750 mijë euro për 10 hektar dhe për këtë çështje kishte ushtruar edhe padi në gjykatë.

Në fund ai ka deklaruar se në Kosovë nuk ka zonë të lirë ekonomike, por vetëm zonë ekonomike.

Pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve seanca është ndërprerë, ndërsa ato të radhës janë caktuar më 11 dhe 12 tetor 2022, ora 13:15.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për këtë rast ka gjithsej 5 pika të dispozitivit e që lidhen me veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrimi” dhe “Shpërlarja e parave”.

Pika 1-3 të aktit akuzues ngarkojnë të akuzuarit Ragip Begaj, Bajram Hasani, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi dhe Faton Thaçi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Aktakuza thotë Begaj si kryetar i komunës së Malishevës, së bashku me Hasanin si Ministër në MTI, dhe Faton Thaçin në cilësinë e zëvendës Ministrit në MTI, në kundërshtim me ligjin kishin filluar procedurat lidhur me krijimin e zonës ekonomike në fshatrat Banjë, Bellanicë dhe Senik të Komunës së Malishevës.

Sipas aktakuzës, në marrjen e veprimeve për krijimin e kësaj zone ekonomike në kundërshtim me ligjin ishin përfshirë edhe Bashkim Krasniqi në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në komunën e Malishevës, Malë Krasniqi si shef i shërbimit të Gjeodezisë në këtë komunë dhe Hajdin Berisha i cili ishte nënkryetar i komunës.

Në këtë aktakuzë është i përfshirë edhe Nazmi Kafexholli, i cili në periudhën e cekur në aktakuzë mbante pozitën e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Sipas kësaj aktakuze, ai akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe mashtrimit.

Gjithashtu në këtë aktakuzë është i akuzuari edhe Ahmet Rrahmanaj, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të shpëlarjes së parave.