Ulje e pagës për 4 muaj ndaj gjyqtareve që u takuan me Presidentin Vuçiq

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

11:49 / 09 Shtator 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar vendimin disiplinor ndaj dy gjyqtareve të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Tatijana Virijevic dhe Dragica Jakovljevic, pasi që ato kishin marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Drejtësia Sot” raporton se në këtë rast, KGJK ka aprovuar marrëveshjen e arritur mes dy gjyqtareve që ishin subjekt i hetimit disiplinor dhe Panelit hetimor dhe ka vendosur që ndaj tyre të shqiptojë masën disiplinore “Ulje e pagës prej 30% për një periudhë prej 4 muajsh”.

KGJK ka vlerësuar se kjo masë disiplinore ndaj gjyqtareve Tatijana Virijevic dhe Dragica Jakovljevic është proporcionale me shkeljen disiplinore, duke pasur parasysh se si rrethanë lehtësuese është marrë edhe se asnjëra nga këto gjyqtare nuk ka ndonjë masë tjetër të shqiptuar.

Hetimi disiplinor ndaj gjyqtareve Virijevic dhe Jakovljevic kishte filluar pas dyshimeve se të njëjtat kishin marr pjesë në takimin e datës 22.03.2022, i mbajtur në Beograd, me ftesë të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ky hetim disiplinor ishte zhvilluar nën pretendimin se gjyqtaret në fjalë kanë kryer shkeljen disiplinore “anëtarësohet në ndonjë subjekt politik, ose ndonjë organizatë tjetër politike, kërkon ose mban ndonjë post politik, kandidon ose zgjidhet në ndonjë post politik, apo angazhohet në ndonjë aktivitet politik”.

KGJK ka vlerësuar se takimi me presidentin Vuçiq, ka qenë i natyrës politike, marrë parasysh se në atë kohë kanë qenë edhe zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi.

Në vendimin e KGJK-së bëhet e ditur se gjatë zhvillimit të procedurës disiplinore, të dy gjyqtaret e kishin pranuar se kanë kryer shkelje disiplinore me rastin e pjesëmarrjes në takimin e thirrur nga Presidenti serb, dhe të njëjtat kanë arritur marrëveshje vullnetare me Panelin Hetimor.

Kujtojmë që Këshilli kishte filluar procedurën disiplinore ndaj Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanovic, Gjyqtares Mbikëqyrëse të degës në Leposavic, Tatijana Virijevic, dhe Gjyqtares Mbikëqyrëse të degës në Zubin Potok, Dragica Jakovljevic, të cilat kishin marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidenti serb, i mbajtur në Beograd më 22 mars 2022.

Në zhvillimin e procedurave disiplinore, tri gjyqtaret kishin pranuar shkeljen disiplinore dhe në ditët në vazhdim pritet që KGJK të bëj publik edhe vendimin disiplinor ndaj kryetares Stevanovic.