Gjykatës Supreme të Kosovës pritet që së shpejti t’i bashkohen edhe dy gjyqtarë të rinj, pozita këto të shpallura të lira në bazë të konkursit të brendshëm për avancim të gjyqtarëve.
“Drejtësia Sot” raporton se në garë për njërën nga këto dy pozita janë kandidatët – gjyqtarët Afrim Shala, Milena Djeric dhe Jovica Mitrovic.
Gjyqtarët Shala dhe Djeric aktualisht janë gjyqtarë në kuadër të Gjykatës së Apelit, ndërsa gjyqtari Mitrovic shërben në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ata u vlerësuan se i plotësojnë kushtet për të ushtruar pozitën e gjyqtarit të Supremes edhe në bazë të listës së publikuar më datë 31 gusht 2022, nga Paneli për shqyrtimin e aplikacioneve dhe Intervistim.
Sipas konkursit të shpallur më datë 5 maj 2022, parashihet që kjo gjykatë t’i plotësojë dy pozita për gjyqtarë, prej të cilave një për gjyqtar te lëmisë penale dhe një pozitë për gjyqtar nga radhët e gjyqtarëve të komunitetit serb.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën Supreme, kandidati duhet të ketë së paku 8 (tetë) vite përvojë si gjyqtar.
GLPS/Drejtësia Sot ka pranuar ftesën nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të monitorojë procesin e intervistimit të kandidatëve, i cili fillon sot nga ora 13:00.
Intervistimi i tyre do të bëhet nga Paneli Intervistues i përbërë nga anëtarët: Albert Zogaj, kryesues i KGJK-së, Teuta Ibrahimi dhe Drita Rexha, anëtare të KGJK-së, Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme dhe Nenad Llaziç, gjyqtar në Gjykatën Supreme.
Kurse në cilësinë e anëtarit rezervë të këtij Paneli është caktuar gjyqtari i Supremes, Agim Maliqi.
Procedurat dhe kriteret për ngritjen në detyrë të gjyqtarëve përcaktohen me Rregulloren Nr. 01/2014 për procedurën e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve (të ndryshuar dhe plotësuar).
Lajmet në fokus