Gjatë ditës së sotme, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbajtur konferencë për media lidhur me dy rastet e dhunimit të vajzës 11 vjeçares, që dyshohet se kanë ndodhur në qershor dhe në gusht të këtij viti.
“Drejtësia Sot” raporton se nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, u bë e ditur se nga hetimet e deritanishme, ky institucion është duke i ndërmarrë veprimet hetimore në dy raste të ndara që lidhen me dhunimin e të miturës.
Nga konferenca për medie, Ulaj theksoi se në këto çështje penale janë të angazhuar dy prokurorë, si dhe deri më tani janë arrestuar dhe janë dërguar në paraburgim 11 persona.
Fillimisht, sipas zëdhënëses Ulaj, me 21 qershor të këtij viti e mitura ishte raportuar nga nëna e saj si person i zhdukur, ndërsa një ditë më pas, 11 vjeçarja ishte intervistuar dhe ishte dërguar në strehimore.
Më këtë rast, pasi ka ekzistuar dyshimi se e njëjta është shfrytëzuar seksualisht, thuhet se prokurori i rastit ka kërkuar që me urgjencë të bëhet ekzaminimi i ADN-së së trupit të viktimës dhe ekzaminimi i telefonit të saj.
Tutje, nga konferenca për media e Prokurorisë së Prishtinës, u bë e ditur se më 7 korrik 2022, në prezencë të zyrtarit të QPS-së dhe psikologut, ka intervistuar të miturën ndërsa ky intervistim ishte vonuar për shkak të mungesë së sigurimit të psikologut në procesin e intervistimit.
Sipas Prokurorisë, me kërkesë të familjes e mitura ishte liruar pas një muaji qëndrim në strehimore.
Ndryshe, nga zëdhënësja e kësaj Prokurorie është bërë e ditur se prokurorët e rastit janë duke i vazhduar hetimet edhe sa i përket dhunimit të së miturës në muajin qershor e po ashtu edhe për dyshimet se e njëjta është dhunuar edhe në fund të muajit gusht 2022.
Kujtojmë që lidhur me këto dy raste të dhunimit të së miturës, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarve E.R., G.R., G.J, Xh.S., Sh.K., D.RR, G.S, B.S, F.S, M.S dhe M.R.
Drejtësia Sot po raporton në vazhdimësi lidhur me këtë çështje.
Lajmet në fokus