Në muajin gusht u ngritën 109 aktakuza për dhunë në familje

Prokurori i Shtetit

Monitoruar nga Liridon Salihi

14:44 / 01 Shtator 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Shtatë Prokuroritë Themelore në nivel vendi (Prishtinë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Pejë), gjatë periudhës 1 deri më 31 gusht 2022, kanë ngritur gjithsej 109 aktakuza kundër 115 të dyshuarve për veprën penale “Dhuna në familje”.

Drejtësia Sot” raporton se këto të dhëna janë siguruar nga raportet 24 orëshe të Prokurorit të Shtetit si dhe nga komunikatat për media të lëshuara nga këto shtatë Prokurori Themelore.

Nëse marrim për bazë të dhënat statistikore për secilën Prokurori veç e veç, rezulton se Prokuroria Themelore në Prishtinë prin me numrin më të madh të aktakuzave të ngritura gjatë muajit gusht, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Kësisoj, në bazë të të dhënave del se ky institucion ka ngritur 28 aktakuza ndaj 28 personave, të gjithë të dyshuar se kanë kryer dhunë në familje.

Pas Prishtinës, Prokuroria tjetër më numrin më të madh të aktakuzave të kësaj natyre është ajo e Gjakovës, me 20 aktakuza kundër 20 personave.

Tutje, Prokuroria Themelore në Gjilan dhe ajo në Ferizaj, gjatë kësaj periudhe raportuese kanë ngritur nga 15 aktakuza. Kështu, Prokuroria e Gjilanit për dhunë në familje i akuzon 17 persona ndërsa në aktakuzat e Prokurorisë Themelore të Ferizajt pretendohet se këtë vepër penale e kanë kryer 16 persona.

Pas tyre vie Prokuroria Themelore në Prizren, e cila nga 1 deri më 31 gusht 2022, në total ka ngritur 14 aktakuza, në të cilat pretendohet se 15 persona kanë kryer veprën penale “Dhuna në familje”.

Kurse, gjatë kësaj periudhe raportuese, dy Prokuroritë Themelore që kanë ngritur numër më të vogël të aktakuzave për dhunë në familje janë Prokuroria Themelore në Pejë, me 10 aktakuza kundër 10 personave dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë me 7 aktakuza ndaj 9 personave.

 Kujtojmë që Kodi Penal i Republikës së Kosovë, në nenin 248, e ka përcaktuar dhe e sanksionon dhunën në familje si vepër të veçantë penale.

Sipas paragrafit 1 të këtij neni, kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet.

Duke qenë se kjo vepër penale mund të kryhet vetëm brenda një marrëdhënieje familjare, Kodi e ka përkufizuar këtë si marrëdhënie në mes të personave që janë të fejuar apo kanë qenë të fejuar,  janë të martuar ose kanë qenë të martuar, që janë në bashkësi jashtëmartesore apo kanë qenë në bashkësi jashtëmartesore ose bashkëjetojnë në ekonomi të përbashkët ose kanë bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët.

Po ashtu, si marrëdhënie familjare do të konsiderohet edhe kur personat përdorin një shtëpi të përbashkët dhe janë në lidhje gjaku, martese, adoptimi, krushqie apo janë në lidhje kujdestarie, duke përfshirë prindërit, gjyshërit, fëmijët, nipat dhe mbesat nga vajza dhe djali, vëllezërit dhe motrat, hallat dhe tezet, dajët dhe axhallarët, mbesat dhe nipërit nga vëllai dhe motra, kushërinjtë ose nëse ata janë prindër të një fëmije të përbashkët.

Sa i përket marrëdhënies familjare, Kodi Penal thekson se çdo herë do të konsiderohet rrethanë rënduese nëse çfarëdo vepre e përcaktuar në këtë Kod kryhet brenda marrëdhënies familjare.

Më pas, në nenin 248, par.3, Kodi ka specifikuar edhe rrethanën dhe sanksionin kur dhuna ushtrohet direkt nga anëtari i familjes ndaj anëtarit tjetër të familjes. Kësisoj, në këtë dispozitë thuhet se “Çdo anëtar i familjes që ushtron dhunë ose keqtrajtim fizik, psikologjik, seksual ose ekonomik ndaj anëtarit tjetër të familjes së tij/saj, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vjet”.

Sa i përket përkufizimit se çka nënkupton termi anëtar i familjes, në Kodin Penale thuhet se më këtë shprehje nënkuptohet prindi, prindi adoptues, fëmija, fëmija i adoptuar, vëllai ose motra, bashkëshorti ose bashkëshortja, i afërmi i gjakut që jeton në të njëjtën shtëpi ose personi me të cilin kryesi jeton në bashkësi jashtëmartesore.

Drejtësia Sot” në baza ditore raporton lidhur me njoftimet e Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit sa i përket rasteve të dhunës në familje.