Është dërguar në mbajtje për 48 orë personi me inicialet Sh.M., për shkak të dyshimit se duke paraqitur dokumente të rrejshme dhe duke përdorur nënshkrimin e personit zyrtar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka bërë shitjen e aseteve që ndodhen në Bosnje e Hercegovinë dhe në Malin e Zi.
“Drejtësia Sot” raporton se me këto veprime Sh.M., dyshohet se ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Prezantimi i rremë si person zyrtar”.
Sipas komunikatës për media e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, bëhet e ditur se i dyshuari Sh.M., është arrestuar gjatë ditës së djeshme, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në koordinim me Policinë e Kosovës-Krimet Ekonomike dhe AKP-në.
Personi i lartcekur dyshohet se, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur dokumente të rrejshme dhe duke përdorur nënshkrimin e personit zyrtar të AKP-së, kinse si person zyrtar i autorizuar nga kjo Agjenci, nga viti 2019 e deri në vitin 2022, ka bërë shitjen e aseteve që ndodhen në Bosnje e Hercegovinë dhe në Malin e Zi, ku me këto veprime i dyshuari ka kryer veprat penale të lartcekura.
I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit prokurori i çështjes do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.
Po ashtu, në këtë është çështje penale me urdhër të prokurorit është sekuestruar një veturë, një telefon, para në vlerë prej 900€ (nëntëqind) euro dhe prova të tjera të cilat do të shërbejnë në procedurë.
Në fund, Prokuroria thekson se në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sqarimit në plotëni të kësaj çështjeje penale.
Lajmet në fokus