Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur takimin e 294 më radhë, ku fokus kryesor ishte raportimi i kryetarëve të gjykatave për punën e këtyre institucioneve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022.
“Drejtësia Sot” raporton se në këtë takim, gjatë ditës së enjte, për punën e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ka raportuar kryetari Enver Peci, i pasuar nga gjyqtari mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Ilmi Bajrami.
Tutje, takimi ka vazhduar me raportimin për tremujorin e II-të (prill – qershor) për vitit 2022, nga kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama, si dhe nga udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të kësaj Gjykate, Valon Kurtaj.
Ndërsa, kjo mbledhje e Këshillit ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, ku në rend të ditës ishin raportimet e kryetarëve të Gjykatave Themelore në Gjilan, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj dhe Mitrovicë.
Kryetarët e gjykatave dhe udhëheqësi i Departamentit Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë raportuan lidhur me numrin e lëndëve në punë, atyre të zgjidhura, dhe ato që mbesin në punë por edhe për sfidat me të cilat përballen secila nga këto institucione.
Të gjitha raportet e punës për periudhën prill-qershor 2022, u aprovuan nga anëtarët e Këshillit, kurse “Drejtësia Sot” do të raportojë për secilën nga to në momentin kur do të publikohen të plota në ueb faqen e KGjK-së.
Në këtë takim, anëtarët e Këshillit po ashtu kanë miratuar Rregulloren Nr. 09/2022 për rekrutimin dhe emërimin e Këshilltarit Ligjor në Gjykatën Komerciale si dhe kanë aprovuar vendimet e Gjykatës së Prizrenit dhe asaj të Prishtinës për ndryshimin e planit të punës.
Më pas, anëtarët kanë aprovuar propozimin e kryetarit të Apelit që në pozitën e nënkryetares së kësaj gjykate të caktohet gjyqtarja Kadrije Goga – Lubishtani, si dhe propozimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, që në pozitën e nënkryetares së kësaj gjykate të caktohet gjyqtarja Raima Elezi.
Tutje, në këtë takim KGJK mori vendim që të publikohen raportet e rregullta për punën e gjyqtarëve, me këto të dhëna: emrin e gjyqtarit, natyrën e çështjes dhe llojin e vendimit që merret me çështjen.
Publikimi i këtyre statistikave do të fillojë nga muaji tetor 2022, për muajin shtator 2022 e tutje, e gjithë kjo me qëllim të rritjes së transparencës së gjykatave të Republikës së Kosovës.
Këshilli gjithashtu aprovoi njoftimin për pensionimin e gjyqtarëve Ćerim Fazliji dhe Sejdi Blakaj, si dhe autorizoi Kryesuesin Albert Zogaj për nënshkrimin e aneks marrëveshjes për kryerjen e shërbimeve universale postare lidhur me Gjykatën Komerciale.
Po ashtu, anëtarët autorizuan Kryesuesin edhe për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të projektit Iniciativa për Sundimin e Ligjit në Ballkanin Perëndimor: Krimi i Rëndë dhe i Organizuar (WBROLI SOC) dhe KGJK-së.
Ndërsa, kryetarët e gjykatave u autorizuan që të mundësojnë kërkesën e projektit “Aftësim për Punësim”, për angazhimin e nxënësve/praktikantëve nga njëmbëdhjetë (11) Institucione Arsimore të Republikës së Kosovës.
Sa i përket kërkesës së gjyqtares së Gjykatës Themelore të Pejës, Nushe Kuka-Mekaj, për lirim nga gjykimi i dy rasteve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, KGJK vendosi që kjo kërkesë të aprovohet pjesërisht.
Më pas, u themelua edhe një komision ad-hoc për vlerësimin e performancës së kryetarëve të gjykatave, i cili do të jetë në përbërje nga anëtarët Fahret Vellija, Vilard Bytyqi dhe Andrijana Miletiç.
Në fund, Këshilli ka themeluar dy panele hetimore që do të shërbejnë në procedurën disiplinore ndaj dy gjyqtarëve.
“Drejtësia Sot” raporton në vazhdimësi për takimet e KGJK-së, link: https://www.rolpik.org/shkelzen-maliqit-i-vazhdohet-mandati-edhe-per-pese-vite-si-drejtor-i-skgjk-se/
Lajmet në fokus