Kthehet në rishqyrtim draft-rregullorja për procedurën disiplinore për anëtarët e KGJK-së

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

10:35 / 22 Shtator 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nën udhëheqjen e kryesuesit Albert Zogaj ka mbajtur takimin e radhës ku në rend të ditës kishte shqyrtimin e draft-Rregullores për procedurën disiplinore për anëtarët e këtij institucionit, raporton “Drejtësia Sot“.

Pas prezantimit të këtij drafti nga kryetarja e Komisionit për Çështje Normative, gjyqtarja Drita Rexhaj, anëtarët e Këshillit u pajtuan se ky dokumenti duhet të kthehet edhe një herë tek grupi punues.

Rekomandimet që ky dokument ka nevojë për rishikim i dha anëtari i KGJK-së, gjyqtari Avni Mehmeti, i cili theksoi se në këtë draft-rregullore ka dispozita që e rregullojnë procedurën disiplinore të anëtarëve të Këshillit në pozitën si gjyqtar, por që kjo tashmë është e rregulluar me Ligjin dhe rregulloren për procedurën disiplinore për gjyqtarë.

Përveç kësaj,  gjyqtari Mehmeti theksoi se duhet që kjo draft-rregullore të definojë qartë edhe çështjen e masave disiplinore dhe mënyrën e procedimit të ankesave disiplinore ndaj anëtarëve të Këshillit.

Tutje, në takimin e sotëm të KGJK-së është hudhur si e palejuar ankesa e gjyqtarit Jovica Mitrovic, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me vlerësimin e performancës së tij nga kundërkandidatja në konkursin për avancim në Gjykatën Supreme, Milena Djeriq.

KGJK konstatoi se ankesa është e palejuar për shkak se ky vlerësim ishte bërë në kohën kur konkursi nuk ka qenë i shpallur dhe se brenda afatit ligjor,  gjyqtari Mitrovic nuk kishte ushtruar ankesë rreth këtij vlerësimi të performancës së tij.

Më pas, takimi ka vazhduar me aprovimin e plotësim/ndryshimit të katalogut të pozitave dhe përshkrimit të vendeve të punës për të punësuarit e gjyqësorit dhe me aprovimin për ndryshimin e planit të punës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për vitin 2022.

Anëtarët e Këshillit, në mbledhjen e sotme kanë diskutuar edhe lidhur me rëndësinë e sistemit SMIL në gjyqësor dhe për çështjen e avokatëve të angazhuar sipas detyrës zyrtare në Gjykatën Themelore në Pejë.

Po ashtu, Këshilli ka marrë vendim për lirim nga detyra të një gjyqtari të Gjykatës së Apelit-Divizioni në Mitrovicë, për shkak të arritjes së moshës së pensionimit, si dhe ka shpallur konkursin për plotësimin e kësaj pozite me një gjyqtar të ri.

Pa praninë e mediave, KGJK kishte në rend të ditës shqyrtimin e njoftimit të komisionit për testimin dhe vlerësimin e kandidatëve për certifikimin e përkthyesve dhe interpretëve gjyqësor për çift gjuhët shqip – serbisht dhe anasjelltas, dhe shqyrtimin e raporteve mbi faktet dhe provat e mbledhura për dy raste disiplinore.

“Drejtësia Sot” raporton në vazhdimësi lidhur me takimet e KGJK-së, link: https://www.rolpik.org/kgjk-avancon-dy-gjyqtare-ne-gjykaten-supreme/