Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka mbajtur konferencë për media ku është deklaruar lidhur me rastin e dhunimit të së miturës 11 vjeçare, raporton Drejtësia Sot.
Vajza e mitur dyshohet se u dhunua në qershor dhe gusht të këtij vitit, ndërsa javën e kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarve E.R., G.R., G.J, Xh.S., Sh.K., D.RR, G.S, B.S, F.S, M.S dhe M.R.
Sa i përket kësaj çështje penale, Zogaj tha se ky rast nuk ka qenë asnjëherë më parë në gjykatë dhe se është e vërtetë që njëri nga 11 të dyshuarit ka pasur edhe raste të tjera penale.
Lidhur me këtë të dyshuar, Zogaj tha se ka pasur vendim të formës së prerë me të cilin ai është dënuar me dënim më burgim, por që i njëjti nuk është rehabilituar nga organet përgjegjëse.
Tutje, duke folur për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, fjala e kryesuesit Zogaj është ndërprerë nga disa të pranishëm në konferencë, të cilët shprehen pakënaqësinë e tyre rreth parashkrimit dhe trajtimit joadekuat të lëndëve të kësaj natyre nga ana e gjykatave.
Pas rreth gjysmë ore, Zogaj vazhdoi konferencën për media, duke theksuar se gjyqtarët përballën me mungesën e ekspertizave të rasteve të dhunës seksuale dhe se ekziston nevoja e rritjes së qendrave rehabilituese.
Në anën tjetër, Zogaj tha se KGJK mbetet e përkushtuar që këto lëndë të trajtohen me prioritet nga ana e gjykatave dhe në rastet kur dyshohet se gjyqtarët kanë neglizhuar raste të tilla ose të ngjashme, do të thirren para përgjegjësisë.
Tutje, sa i përket rasteve kundër integritetit seksual, u tha se nga viti 2017 deri në vitin 2022, janë të pranuara 786 lëndë, prej të cilave 140 lëndë janë të papërfunduara, ndërsa pjesa tjetër janë raste të përfunduara.
Nga këto raste, 65% janë me aktgjykim dënues, 15% me aktgjykim lirues, 10% me aktgjykim refuzues dhe pjesa tjetër kanë forma të tjera të përfundimit, përfshirë edhe parashkrimin.
Po ashtu, sipas Zogajt, rreth 40% e rasteve penale në Kosovë kanë të bëjnë me të miturit, qoftë në cilësinë e të pandehurve ose viktimave, dhe ato trajtohen nga vetëm 11 gjyqtarë në nivel vendi, sepse nuk ka buxhet për rritjen e numrit të gjyqtarëve që do të shërbenin në Departamentin për të Mitur.
Ndryshe, në konferencën e sotme, Kryesuesi i KGJK-së deklaroi se Qeveria po cenon pavarësinë e gjyqësorit përmes pakos së Vettingut në drejtësi, deklarimeve për vendimet dhe statistikat gjyqësore, Projektligjit për Zyrtarët Publik, Projektligjit për Pagat, Projektligjit për Panelin për Lirim me Kusht dhe me çështjen e ekspertëve dhe interpretëve gjyqësor.
Kujtojmë që gjatë ditës së sotme edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbajtur konferencë për media, ku ka dhënë detaje lidhur me rastet e dhunimit të 11 vjeçares, link: https://www.rolpik.org/prokuroria-konfirmon-se-po-vazhdojne-hetimet-lidhur-me-dhunimin-e-te-mitures-11-vjecare/
Lajmet në fokus