Prokuroria Themelore në Ferizaj ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave të arrestuar në aksionin “Brezovica 6″.
Një gjë e tillë u bë e ditur nga raporti 24 orësh i Prokurorit të Shtetit, ku thuhet se kjo kërkesë është parashtruar nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë së Ferizajt.
Në këtë njoftim thuhet se kërkesa për paraburgim kundër këtyre shtatë personave është bërë me arsyetimin se të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, ka realizuar aksionin “Brezovica 6”.
Gjatë këtij aksioni u bë kontrolli i disa shtëpive dhe objekteve përcjellës në njëmbëdhjetë lokacione të ndryshme.
Tetë nga këto lokacione ishin në qytetin e Prishtinës, dy në Podujevë dhe një në Fushë Kosovë.
Më këtë rast, janë arrestuar shtatë persona të dyshuar dhe të njëjtit me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale të lartcekura. / Drejtësia Sot
Lajmet në fokus