Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar rigjykimi në rastin e njohur në publik si “Fondi 3%”, ku Naser Osmani dhe Atdhe Gashi akuzohen për shmangie nga tatimi dhe shpërdorim të fondeve.
“Drejtësia Sot” raporton se në seancën e sotme, gjyqtari i çështjes Adnan Kamberi, ka marrë aktvendim që të përpilohet ekspertiza e re financiare e përbërë nga tre ekspertë të fushës, duke marrë për bazë të gjitha dokumentet e nevojshme.
Ai theksoi se kjo ekspertizë do të bëhet sipas udhëzimeve që ka dhënë Gjykata e Apelit kur e ka kthyer këtë rast në rigjykim, në mënyrë që të bëhet një vlerësim i drejtë i gjendjes faktike.
Kurse prokurori i rastit, Atdhe Dema, nuk është pajtuar me vendimin e Apelit sa i përket përpilimit të ekspertizës së re, pasi që sipas tij ky vendim është skandaloz dhe nuk ekzistojnë dy super-ekspertiza askund në botë. Ai shtoi se është paradoksale të caktohet edhe një grup i ekspertëve, për të vërtetuar gjendjen faktike, sepse e njëjta është vërtetuar një herë.
Kurse nga mbrojtësit e të akuzuarve Naser Osmani e Atdhe Gashi, është propozuar që për këtë çështje të caktohen ekspertët e mëparshëm dhe të pajisën me shkresat e lëndës që nuk i kanë pasur me herët, ashtu që të plotësojnë ekspertizën aktuale ose të përpilojnë një ekspertizë të re.
Ndryshe, në seancën e sotme nuk kanë prezantuar dy dëshmitarët Nezif Fejza dhe Hafiz Gagica, pasi që të njëjtit jetojnë jashtë Kosovës.
Më këtë rast gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorit special Atdhe Dema që të lexohet procesverbali i marrjes në pyetje për këta dy dëshmitarë, meqenëse deklaratat e tyre nuk do të kenë përmbajtje kruciale.
Në fund, gjyqtari i çështje njoftoi se seanca e radhës do të caktohet pasi ekspertët e caktuar ta përpilojnë dhe sjellin ekspertizën në gjykatë.
Naser Osmani e Atdhe Gashi, bashkë me të akuzuarin tjetër Bujar Bukoshin, akuzohen se duke vepruar si anëtarë të bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), janë shmangur të paguajnë tatimin Administratës Tatimore të Kosovës në vlerë prej 3 mijë 510 euro dhe për shpërdorim të fondeve në vlerë rreth 155 mijë euro.
Kujtojmë që gjykata më herët kishte veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarit Bujar Bukoshi, duke vazhduar gjykimin vetëm për të akuzuarit Osmani e Gashi.
Sipas aktakuzës, të siguruar nga burimet e Drejtësi Sot, të pandehurit Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, akuzohen se gjatë periudhës 2006-2015, duke vepruar si anëtar të bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), së bashku me Bujar Bukoshin, ndaj të cilit është veçuar procedura, janë shmangur të paguajnë tatimin Administratës Tatimore të Kosovës në vlerë prej 3510 euro dhe shpërdorim të fondeve në vlerë prej 154, 132, 47 euro.
Më tutje, aktakuza sqaron se gjatë kësaj periudhe në bashkëkryerje me njëri tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetës apo tjetrit dobi pasuror të kundërligjshme e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë e cila i’u është besuar atyre. Ku në të ashtuquajturin fondi 3%, qytetarët e Kosovës, të punësuar jashtë vendit duke e parë gjendjen e rënduar ekonomike në atë kohë në Kosovë, jepnin donacione varësisht nga mundësitë e tyre financiare 3% deri në 10%, para të cilat deponoheshin në llogarinë e OJQ UFORK, të njëjtit kanë tërhequr me para në dorë (kesh) shumë prej 154.132.47 euro të cilat nuk i kanë arsyetuar se për çfarë i kanë shfrytëzuar.
Lajmet në fokus