Fillon rishtazi rigjykimi në rastin “Medicus”, seanca e fundit ishte mbajtur para dy viteve

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Valentina Shahini

14:40 / 09 Shtator 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas dy viteve nga mbajtja e seancës së fundit, sot ka filluar rishtazi rigjykimi ndaj të akuzuarve Lutfi dhe Arban Dervishi, në rastin e njohur si “Medicus”.

Dy të akuzuarit po përballen me këtë proces gjyqësor maratonik i cili është kthyer dy herë në rigjykim, nën akuzën se kanë transplantuar organe njerëzore në ordinancën “Medicus”.

Fillimisht kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kukaj-Mekaj, ka deklaruar se kryetarja e kësaj gjykate, Albina Shabani-Rama e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për përjashtimin e saj nga ky gjykim.

Tutje, pasi që të akuzuarit janë njoftuar me të drejtat e tyre, dhe pasi që aktakuza është konsideruar e lexuar, të akuzuarit Lutfi dhe Arban Dervishi janë deklaruar të pafajshëm për veprat për të cilat po ngarkohen.

Po ashtu, prokuroria dhe mbrojtja kanë qëndruar pranë fjalëve hyrëse të dhënë në seancën e datës 27 tetor 2020.

Pas kësaj, gjykatësja Kukaj-Mekaj lidhur më dëshmitarët – të dëmtuarit W1, W2 dhe W3, dëshmitarët e mbrojtur PM, DS, AP, dhe dëshmitari Y. A, ka deklaruar se pas shumë përpjekjeve nëpër rrugë ndërkombëtare për sigurimin e tyre, nuk është arritur të sigurohen, pasi që përveç shtetit të Turqisë, asnjëra nga shtete tjera nuk janë përgjigjur.

Ajo tha se me parashtresë mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Dervishi, avokati Besnik Berisha ka kërkuar që deklaratat e tyre të lexohen.

Lidhur më këtë kërkesë prokurori special Burim Çerkini ka thënë se pajtohet me propozimin e mbrojtjes që deklaratat e tyre të lexohen, por ka kërkuar kohë për përgatitjen e deklaratave të tyre në pajtim me vërejtjet e Gjykatës së Apelit, si dhe ndarjen e provave materiale të cilat lidhen me tani të akuzuarit.

Lidhur me propozimin e Prokurorisë për shtyrjen e  seancës, mbrojtja është pajtuar, si dhe është aprovuar nga trupi gjykues.

Po ashtu, gjykatësja Kukaj-Mekaj, e ka obliguar prokurorin special Çerkini që në mënyrë të detajuar t’i specifikojë të gjitha deklaratat e të dëmtuarve – dëshmitarëve, përkatësisht cilat deklarata me datë dhe në cilën procedurë përfshirë shqyrtimet gjyqësore dhe procedura para ngritjes së aktakuzës.

Po ashtu, është kërkuar që të ndahen provat materiale që duhen të lexohen e që kanë të bëjnë vetëm me këta dy të akuzuar dhe për secilën provë bazuar në vërejtjet e Gjykatës së Apelit të jepet mendimi se çka vërtetojnë.

Në këtë mënyrë seanca e sotme u ndërpre, ndërsa atë të radhës janë caktuar më 2 dhe 3 nëntor 2022, ora 9:30.

Kujtojmë se me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, të datës 06.11.2018, ajo kishte konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmban dispozitave kontradiktorë dhe është i mangët në raport me veprimet inkriminuese të të akuzuarit Lutfi Dervishi.

Ndërsa për të akuzuarin Arban Dervishi, fillimisht ishte veçuar procedura për shkak se gjendej në arrati, ndërsa me sigurimin e prezencës së tij është bashkuar procedura penale dhe tani akuzohet së bashku me babain e tij, Lutfi Dervishi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në vitin 2010 kishte ngritur aktakuzë ndaj urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta, Sokol Hajdini, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, dhe ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, për shkak të transplantimit të kundërligjshëm të organeve njerëzore.

Për këtë, ata akuzoheshin për veprat penale “Krim i organizuar”, “Trafikim me qenie njerëzore”, “Mashtrimi”, “Lëndim i rëndë trupor”, “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarive mjekësore” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Lutfi dhe Arban Dervishi, fillimisht nga gjykata e shkallës së parë ishin shpallur fajtor dhe ishin dënuar me burgim dhe me gjobë, ashtu që i akuzuari Lutfi Dervishi, ishte dënuar me 8 vite burgim e 10 mijë euro gjobë, ndërsa Alban Dervishi ishte dënuar më 7 vite e 3 muaj burgim si dhe 2.500 euro gjobë.

Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini, ishte liruar nga akuza për veprën penale “Krim i organizuar”, por ishte dënuar me 3 vite burgim për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, si dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënimi plotësues i ndalimi të ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 1 viti.

Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla ishin dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale “Shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve”.

Gjykata në atë kohë pati liruar nga akuza Driton Jiltan, për veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarive njerëzore” dhe “Shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve”, për shkak të parashkrimit.