Gjykata Themelore në Ferizaj ende nuk ka caktuar datën e seancës së shqyrtimit gjyqësor ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuarve në rastin e dhunimit dhe vrasjes së Marigona Osmanit në gusht të vitit të kaluar.
Lidhur me këtë çështje, “Drejtësia Sot” ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj informata nëse gjyqtari i rastit ka caktuar ndonjë datë se kur planifikohet fillimi i gjykimit ndaj Krivaçës dhe Sejdiut, pasi që tashmë ndaj tyre edhe është konfirmuar aktakuza.
Në përgjigjen e pranuar nga Zyra për Informim me Publikun e kësaj gjykate thuhet se “Sipas informatave që kemi marrë nga zyra e gjyqtarit të çështjes, jemi njoftuar se ende nuk është caktuar seanca e shqyrtimit gjyqësor për rastin në fjalë, theksuan se për një kohë shumë të shkurt e njëjta do të caktohet”.
Ndryshe, më datë 14 korrik 2022, në gjykatën e Ferizajt ishte mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar, ku prokurori i rastit, Valdet Avdiu, ka lexuar aktakuzën kurse të akuzuarit ishin deklaruar se e kanë kuptuar aktin akuzues dhe nuk kanë nevojë për sqarime shtesë.
Ndërsa sa i përket deklarimit rreth fajësisë, i akuzuari Dardan Krivaça nuk ka dashur të deklarohet në këtë fazë të procedurës, ndërsa Arbër Sejdiu ka deklaruar se nuk e ndjen veten fajtor për veprat penale që i ngarkohen në këtë aktakuzë.
Meqenëse të pandehurit nuk e kishin pranuar fajësinë, gjyqtari Krasniqi kishte njoftuar palët se në afat 30 ditorë kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
“Drejtësia Sot” kishte raportuar më 6 shtator 2022, se kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sahit Krasniqi, kishte bërë konfirmimin e aktakuzës ndaj Krivaçës dhe Sejdiut, duke i refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve.
Kujtojmë që më 28 qershor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021.
Aktakuza ndaj Krivaçës dhe Sejdiut është ngritur lidhur me rastin e dhunimit dhe vrasjes së Marigona Osmanit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, Krivaça dhe Sejdiu me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Po ashtu, për të pandehurin Dardan Krivaça ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Ndërsa i pandehuri Arbër Sejdiu me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaçës, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.
Lajmet në fokus