Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Prishtinë nën dyshimin se e kishte kanosur me fjalë ofenduese dhe e kishte goditur me veturë babain e tij, raporton “Drejtësia Sot”.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur dje në Veternik, ku prindi ka raportuar se ishte kanosur me fjalë ofenduese nga djali i tij. Po ashtu, viktima ka raportuar se djali i tij në mënyrë agresive me veturë e ka goditur dy herë nga prapa dhe është larguar në drejtim të panjohur.
Më pas, bëhet e ditur se njësitet policore kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndryshe, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovë bëhet e ditur se në rajonin e Prishtinës janë raportuar edhe dy raste të tjera të dhunës në familje.
Kësisoj, në Podujevë është arrestuar një person nën dyshimin se i njëjti ka ushtuar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe djalit të tyre të mitur.
Viktimat pas tretmanit mjekësor dhe intervistimit në prezencë të QPS-së janë dërguar tek familja e viktimës, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Kurse në Lipjan, raportohet se është arrestuar një person pasi që i njëjti i ka sulmuar fizikisht dy motrat e tij. Njëra prej tyre ka pranuar tretman mjekësor si pasojë e lëndimeve trupore, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Tutje, për dhunë në familje gjatë ditës së djeshme është arrestuar një person në Gjakovë nën dyshimin se i njëjti ka ushtuar dhunë psikike dhe fizike ndaj gruas së tij.
Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa lidhur me rastin e raportuar në Vushtrri, Policia bën të ditur se dje ka arrestuar një person nën dyshimin se i njëjti ka ushtuar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
“Viktima pas tretmanit mjekësor dhe intervistimit në prezencë të QPS-së, viktima dhe fëmijët e saj janë dërguar tek familja e viktimës. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt” – thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
“Drejtësia Sot” në vazhdimësi raporton për njoftimet e Policisë së Kosovës lidhur me rastet e dhunës në familje.
Lajmet në fokus