Institucioni i Prokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur gjashtë aktakuza ndaj shtatë personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
“Drejtësia Sot” raporton se nga një aktakuzë për dhunë në familje e kanë ngritur Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe ajo në Gjilan, ndërsa nga dy aktakuza të tilla i kanë ngritur Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe ajo në Mitrovicë.
Ndryshe, në 24 orët e fundit nga Prokuroritë Themelore raportohet se janë ngritur pesëdhjetenjë (51) aktakuza kundër gjashtëdhjetetetë (68) personave, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar pesëmbëdhjetë (15) persona, si dhe pranë gjykatës kompetente janë parashtruar katër kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj katër personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar shtatë persona, ka paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi si dhe ka ngritur gjashtëmbëdhjetë (16) aktakuza kundër tetëmbëdhjetë (18) personave për vepra të ndryshme penale.
Me urdhër të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren janë ndaluar katër persona të dyshuar, si dhe pranë gjykatës ka parashtruar tri (3) kërkesa për caktim të paraburgimit kundër tre personave të dyshuar. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur tetë aktakuza kundër katërmbëdhjetë (14) personave, për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar, si dhe ka ngritur katërmbëdhjetë (14) aktakuza kundër shtatëmbëdhjetë (17) personave.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ndaluar dy persona të dyshuar, në dy raste të ndara, si dhe janë ngritur katër aktakuza kundër dhjetë personave për vepra të ndryshme penale.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Mitrovicë në 24 orët e fundit ka ngritur katër aktakuza kundër katër personave, për vepra të ndryshme penale.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një person të dyshuar dhe ka ngritur pesë aktakuza kundër pesë personave, për vepra të ndryshme penale” – thuhet në raportin e Prokurorit të Shtetit.
Lajmet në fokus