Përfundon gjykimi ndaj zyrtarëve policorë që akuzohen për krim të organizuar

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Valentina Shahini

13:39 / 31 Gusht 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj zyrtarëve policor Ana Vasoviq – Barac, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, raporton Drejtësia Sot.

Të tre zyrtarët policorë akuzohen se duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare si polic kufitar në Leposaviq, kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e Ryshfetit”.

Në seancën e udhëhequr nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama u dha fjala përfundimtare e prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës.

Prokurori special Burim Çerkini tha se nga provat e administruara është vërtetuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat po ngarkohen, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtit ti shpall fajtor dhe ndaj tyre të shqiptojë dënim sipas ligjit.

Lidhur me të akuzuarin Izet Uskoviq, i cili e ka cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, prokurori ka kërkuar nga gjykata që me rastin e shpalljes së dënimit, t’i shqiptojë një dënim më të butë, me të cilin do të arrihet qëllimi i dënimit.

Mbrojtësi i të akuzuarës Ana Vasoviq-Barac, avokati Predrag Mirkoviq ka thënë se pas analizimit të gjitha provat, më saktësisht dëshmitë e dëshmitarëve, Prokuroria gjatë kësaj procedure nuk e ka vërtetuar se e mbrojtura e tij ka kryer ndonjërën nga veprat penale për të cilat po ngarkohet.

Në fund, ai ka kërkuar nga gjykata që për të mbrojturën e tij të merret aktgjykim lirues.

Edhe e akuzuara Vasoviq në fjalën përfundimtare ka mohuar se ka marr ndonjëherë të holla për kalim ilegal të mallrave, apo të ketë qenë pjesëmarrëse e ndonjë grupi kriminal të organizuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Veroljub Dimitrijeviq, avokati Milos Delevic gjithashtu ka mohuar ekzistimin e grupit kriminal, pasi sipas tij prokuroria gjatë procedurës së provave nuk ka paraqitur as dyshimin më të vogël që të pandehurit kanë bashkëpunuar në çfarëdo mënyre, e le më si grup i organizuar kriminal.

Gjithashtu edhe ai i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të merret aktgjykim lirues.

I akuzuari Dimitrijeviq në fjalën përfundimtare ka deklaruar se nuk dihet fajtor për veprat për të cilat po ngarkohet, duke pretenduar se kurrë nuk ka qenë anëtar i grupit kriminal të organizuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Izet Uskoviq, avokati Abit Asllani në fund të elaborimit të fjalës përfundimtare ka kërkuar nga gjykata drejtësi për të mbrojturin e tij,  një drejtësi e cila është e bazuar në ligjin ne fuqi dhe standardet ndërkombëtare.

Pas dëgjimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësja Shabani-Rama e ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje është i përfunduar, kurse shpallja e vendimit pritet të mbahet më 5 shtator 2022, ora 14:30.

Ndryshe, ky rast ka filluar rishtazi për shkak të mungesës së anëtares së trupit gjykues, Shadije Gërguri, në vend të së cilës tani anëtare e trupit gjykues është gjykatësja Violeta Namani.

Gjatë kësaj seance me propozimin e prokurorit dhe me pajtimin e mbrojtjes, të gjitha veprimet e ndërmarra janë konsideruar të lexuara.

Kujtojmë se në këtë çështje penale ishin të akuzuar edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, për “Kontrabandë me mallra” dhe “Dhënia e Ryshfetit” të cilët kanë pranuar fajësinë për veprat penale në shqyrtim fillestar, dhe gjykata ka shqiptuar dënimin ndaj tyre.

Ndryshe, sipas aktakuzës të PSRK-së të datës 23.04.2020, e cila përfaqësohet nga prokurori Burim Qerkini, të pandehurve Ana Vasoviq – Barac, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, akuzohen se gjatë viteve 2016 – 2019, në cilësinë e zyrtarëve policorë, si grup i organizuar, kanë udhëzuar dy të akuzuarit e tjerë, Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, se në cilat vende dhe në çfarë kohe të bëjnë kontrabandim të mallrave, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas.

Këta zyrtarë policor, duke vepruar si anëtarë të grupit kriminal, kanë marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e Ryshfetit”.

Ashtu që, lidhur me kalimin ilegal të mallrave si ushqim, drunjë, barna dhe derivate, zyrtarët policor kanë marrë shuma të ndryshme të parave për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30 – 50 euro për furgona dhe 100 – 150 euro për çdo kamion.